“Përtej Hekurave” premiera që e kthen Ukshin Hoti në simbol të përjetshëm në ora 20:00 në Teatrin e Shkupit
Shkruan: Astrit Gashi
Teatri Shqiptar në Shkup shndërrohet këtë fillim jave në një pikë referimi të rëndësishme të jetës kulturore shqiptare.
Të hënën, më 4 maj 2026, në orën 20:00, do të jepet premiera e shfaqjes “Përtej Hekurave”, një prodhim që synon të tejkalojë kufijtë e zakonshëm të interpretimit skenik dhe të hapë një debat të thellë mbi kujtesën dhe ndërgjegjen kolektive.
Nën regjinë e dramaturgut Naser Shatrolli, një nga emrat më të spikatur të teatrit bashkëkohor shqiptar, kjo vepër vjen si një projekt artistik me ambicie të qarta konceptuale dhe estetike.
Kontributi krijues plotësohet nga kostumografia e Emira Ymeri, muzika e Pleurat Gashi, si dhe interpretimet e aktorëve Ylber Murtezi, Genci Mirzo dhe Visar Etemi, të cilët sjellin në skenë një intensitet dramatik që pritet të lërë gjurmë te publiku.
Me këtë premierë, Shkupi rikonfirmon rolin e tij si një nga qendrat më dinamike të kulturës shqiptare në rajon. “Përtej Hekurave” pritet të jetë jo vetëm një sukses artistik, por edhe një ngjarje që nxit debat dhe rikthen në vëmendje figura e tema që vazhdojnë të sfidojnë ndërgjegjen tonë kolektive.



