TE SHTËPIA BAZË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË LAGJEN SYLAJ TË BUSISË

03 maj 2026 | 23:28

Ismet Sylejmani

I lumtur që sot bashkë me Komandantët e UÇK-së, Ejup Gasha-Mala, Fejzë Gashi dhe Xhymshit Gashi – Fadili, e vizitova shtëpinë e luftës për liri, në të cilën kam qëndruar me 16 Prill 1999 disa orë!

Kjo ishte Shtëpia e Feti Ibrahim Gashit, Shtëpi Bazë e UÇK-së, në të cilën pas ofenzivës së Zhegocit më 15 Prill 1999, një pjesë e luftëtarëve, pas kalimit nga Malsia e Zhegocit, jemi vendosur në fsh. Busi në Lagjen Sylaj!

Shtëpitë Baza të UÇK-së i hapën dyert pa kushte për lirinë dhe çlirimin nga Serbia pushtuese!

Në to u ndezën zjarret për ngrohje dhe u shtruan sofrat për t’u ushqyer luftëtarët e lirisë!

Shtëpitë Baza të UÇK-së, ishin vendet ku lodhja nga vijat e frontit ose nga udhëtimet e gjata nëpër male e furnizimet me armatime, shuhej për pak çaste, ku plagët mjekoheshin sa ishte e mundur dhe merreshin vendime të rëndësishme në çaste dramatike kur ndodheshim përballë sulmeve të armikut!

Këto shtëpi pas përfundimit të luftës çlirimtare e pas largimit të Serbisë pushtuese nga Kosova, mbeten sot monumente kujtese, nderimi e përkushtimi të padukshme të historisë sonë!

Shtëpitë Baza të UÇK-së, janë dëshmi se lufta për liri nuk u bë vetëm në vijat e frontit, por edhe në çdo vatër shqiptare që u bë strehë, mburojë dhe shpresë për luftëtarët çlirimtar!

E këtillë është edhe kjo shtëpi e heshtur fortesë lirie!

Shtëpitë Baza të UÇK-së ishin prapavijat e fronteve të luftës kundër ushtrisë dhe policisë të Serbisë pushtuese!

Shtëpitë Baza të UÇK-së, përfaqësojnë sakrificën e familjeve heroike shqiptare, të atyre familjeve që me dashuri të madhe hapën dyert për luftëtarët e lirisë, dhe bashkë me Amerikën dhe aleatë të tjerë, çliruan Kosovën nga Serbia pushtuese!

Ismet Sylejmani,
Ish-Zëdhënësi i UÇK-së,
Prishtinë, 3 Maj 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inter Milan ka siguruar matematikisht titullin kampion në Serie A,…