FC Dardania Basel triumfon në derbi ndaj HNK Croatia Basel dhe siguron ngjitjen në Ligën e 3-të të Zvicrës
Klubi shqiptar FC Dardania Basel ka arritur një sukses të madh historik, duke triumfuar në derbin e shumëpritur ndaj HNK Croatia Basel me rezultat 2:1, fitore kjo që i siguron ngjitjen në Ligën e 3-të të futbollit në Zvicër. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme, para mbi 1 000 shikuesve të pranishëm, të cilët me përkrahjen e tyre të vazhdueshme i dhanë forcë ekipit deri në fund.
Ky sukses konsiderohet fryt i një pune të madhe dhe përkushtimi të vazhdueshëm nga i gjithë kolektivi i klubit gjatë gjithë sezonit. Kontribut të veçantë në këtë arritje kanë dhënë kryetrajneri Taulant Xhaka së bashku me asistentët Argjent Turkaj dhe Dorian Bajrami, si dhe lojtarët që besuan në projekt dhe dhanë maksimumin nga ndeshja e parë deri në këtë moment vendimtar. Klubi ka shprehur mirënjohje të thellë edhe për drejtuesit e tij, përfshirë presidentin Tahir Çitaku, drejtorin sportiv Besim Bublica, drejtorin për sponsorizim Xheladin Shala, nënkryetarin Zyber Pulaj, menaxherin Ragip Xhaka, si dhe anëtarët e tjerë të stafit drejtues për mbështetjen e vazhdueshme. Falënderime të veçanta u janë adresuar gjithashtu sponsorëve dhe tifozëve, pa të cilët, sipas klubit, ky rrugëtim i suksesshëm nuk do të ishte i mundur. “Së bashku jemi më të fortë! Jemi një – Kuq e Zi!”, thuhet në njoftimin e klubit.



