Agron Kuçi bojkoton kuvendin e AAK-së në Junik, ngre dyshime për largim nga partia
Ish-kryetari i degës së AAK-së në Junik dhe ish-kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka dhënë sinjale të pakënaqësisë së thellë me zhvillimet e fundit brenda partisë së tij. Përmes një reagimi publik në Facebook, ai ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së AAK-së në Junik, i paraparë të mbahet më 8 maj 2026.
Kuçi ka deklaruar se procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në përputhje me statutin e partisë, duke theksuar se nuk janë mbajtur kuvendet zgjedhore të nëndegëve, si dhe ato të Aleancës së Gruas dhe Aleancës së të Rinjve, të cilat sipas tij përbëjnë bazën ligjore dhe organizative për mbajtjen e kuvendit të degës.
Sipas tij, mosrespektimi i procedurave statutare cenon legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe përfaqësimin e delegatëve në kuvend.
“Pjesëmarrja në një proces që nuk është ndërtuar mbi bazën e rregullave statutare do të nënkuptonte legjitimim të paligjshmërisë dhe devijim nga tradita demokratike që e ka karakterizuar Degën e AAK-së në Junik ndër vite”, ka shkruar Kuçi.
Ai ka theksuar se vendimi i tij nuk është i drejtuar kundër individëve të caktuar, por lidhet me parimet demokratike dhe respektimin e rregullave brenda subjektit politik.
Në reagimin e tij, Kuçi ka rikujtuar edhe rolin historik të degës së AAK-së në Junik gjatë më shumë se 26 viteve, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të organizimit politik dhe institucional në komunë.
Mospjesëmarrja e tij në kuvend po shihet si sinjal i qartë i krisjeve brenda degës së AAK-së në Junik, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një largimi të tij nga partia në të ardhmen.
Postimi i plotë i Agron Kuçit:
Të dashur bashkqytetarë, te nderuar aleancistë në Junik!
Sot jam njoftuar dhe ftuar për të marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së AAK-së në Junik i cili është paraparë të mbahet nesër, më datë, 08.05.2026.
Duke ndier përgjegjësi publike, politike dhe statutare ndaj antarësisë së Aleancës dhe bashkqytetarëve në Junik, e konsideroj të domosdoshme të njoftoj se ky proces zgjedhor nuk është paraprirë nga procedurat e detyrueshme statutare, përkatësisht nuk kanë zhvilluar dhe mbajtur asnjërin nga kuvendet zgjedhore të nëntë (9) nëndegëve, si dhe kuvendet e Aleancës së Gruas dhe Aleancës së të Rinjëve, të cilat sipas dispozitave ligjore të Statutit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përbëjnë bazën themelore organizative dhe juridike për mbajtjen e rregullt të Kuvendit Zgjedhor dhe konstituimit të organeve drejtuese të Degës.
Mosrespektimi i këtyre procedurave statutare dhe demokratike cenon parimet e legalitetit, përfaqësimit dhe procesit zgjedhor të vetë kuvendit dhe përfaqësimit të delegatëve në të . Në këto rrethana, konsideroj se delegatët e ftuar në këtë kuvend, përfshirë edhe mua, nuk burojnë nga një proces i rregullt dhe legjitim statutaro-zgjedhor.
Për këtë arsye, me keqardhje, duke respektuar ndërgjegjjen time politike, parimet demokratike dhe përgjegjësinë ndaj secilit anëtar e qytetar, që për shumë vite i ka dhënë besim Aleancës, kam vendosur të mos marr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës për ditën e nesërme.
Ky vendim nuk buron nga kundërshtimi personal ndaj askujt, por nga bindja ime se pjesëmarrja në një proces që nuk është ndërtuar mbi bazën e rregullave statutare, do të nënkuptonte legjitimim të paligjshmërisë dhe devijim nga tradita demokratike që e ka karakterizuar Degën e AAK-së në Junik ndër vite.
Dega e AAK-së në Junik, bart një histori të rëndësishme politike, kombëtare dhe qytetare prej më shumë se 26 vitesh, duke qenë shtylla kryesore në themelimin, ndërtimin dhe zhvillimin institucional të Komunës së Junikut. Pikërisht për shkak të kësaj trashëgimie politike dhe sakrifice kolektive, ne kemi për obligim moral dhe politik që proceset tona të brendshme të jenë shembull i demokracisë, transparencës, respektimit të statutit dhe vullnetit të anëtarësisë.
Jam i bindur se vetëm përmes respektimit të normave ligjore, rregullave, unitetit, dialogut dhe proceseve të drejta demokratike, mund ta ruajmë besimin e qytetarëve dhe ta forcojmë Aleancën si subjekt serioz politik në shërbim të interesit publik.
Me respekt dhe konsideratë për secilin kontribues të Aleancës ndër vite!



