Shukri Buja thirrje PDK-së: Të merret seriozisht përfshirja e Fatmir Limajt në listën për deputetë
Kryetari i degës së PDK-së në Lipjan, Shukri Buja, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që ta shqyrtojë seriozisht përfshirjen e Fatmir Limajt në listën për deputetë të kësaj partie.
Përmes një reagimi publik, Buja ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë edhe në zgjedhjet e kaluara, ndërsa tani po e përsërit “me ngulm të plotë”.
“Sot pranohen figura që deri dje e kanë sulmuar dhe fyer këtë parti, vetëm sepse sjellin vota. Ndërkohë, lihet anash bashkëpunimi me Fatmir Limajn dhe me struktura të NISMA Socialdemokrate, me të cilët kemi ndarë rrugëtim në momente kyçe të shtetndërtimit”, ka shkruar Buja.
Ai ka kritikuar qasjen e PDK-së ndaj figurave politike që, sipas tij, kanë qenë pjesë e historisë dhe rrugëtimit të përbashkët politik.
Buja ka theksuar se në kohë të vështira nevojiten vendime më të guximshme dhe më të drejta politike.
“Në kohë të vështira, nevojiten vendime më të qarta, më të drejta dhe me më shumë guxim politik. Koha e vendimeve të mëdha nuk duron llogari të vogla”, ka deklaruar ai.



