Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, merr fund qeverisja 16 vjeçare e Viktor Orbanit

09 maj 2026 | 16:31

Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Peter Magyar, është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke i dhënë fund zyrtarisht 16 vjetëve të qeverisjes së Viktor Orbanit.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt të shtunën në parlamentin hungarez, ndërsa jashtë ndërtesës qindra qytetarë u mblodhën për të ndjekur seancën në ekrane të mëdha.

Gjatë fjalimit, Magyar u bëri thirrje qytetarëve që “të shkruajnë historinë hungareze së bashku” dhe e cilësoi tranzicionin politik si “kalim nëpër portën e ndryshimit të regjimit”.

Partia e tij opozitare, Tisza, fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të mbajtura muajin e kaluar, duke siguruar 141 nga 199 ulëset në parlament, shumicë që i jep kontroll prej dy të tretash. Magyari ka premtuar luftë kundër korrupsionit, për të cilin tha se ka dëmtuar ekonominë dhe mundësitë e qytetarëve hungarezë gjatë viteve të fundit.

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re pritet të jetë zhbllokimi i rreth 17 miliardë eurove fonde të Bashkimit Evropian, të cilat ishin ngrirë gjatë qeverisjes së Orbanit për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit dhe korrupsionin.

Kryeministri i ri është zotuar gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët evropianë dhe të rikthejë reputacionin e Hungarisë mes demokracive perëndimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish ministri i Punëve të Jashtme, ish deputeti, Enver Hoxhaj, ka…