Në 28-vjetorin e rënies, Haxhiu dhe Kurti kujtojnë heroin Agron Rrahmani

12 maj 2026 | 13:38

Në 28-vjetorin e rënies, u.d presidentja Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin kanë bërë homazhe te varri i heroit të kombit Agron Rrahmani.

Haxhiu ka thënë se qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, Agron Rrahmani u dallua për veprimtari atdhetare.

“Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm. Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej. Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet. Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë. Në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin “Rexhep Mala”. Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se më 12…