Shfuqizohet tarifa prej 3 eurove për shoqëruesit e pacientëve në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, vendos Gjykata Supreme e Kosovës

13 maj 2026 | 18:11

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15-vjeç të pacientëve gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.

Sipas njoftimit nga Gjykata Supreme e Kosovës është shfuqizuar pika 4 e shtojcës 3 dhe pika 5 e shtojcës 4 të këtij udhëzimi, të cilat parashihnin pagesën prej 3 euro në ditë për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç gjatë qëndrimit në spital.

IKD, kishte parashtruar padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kontestuar ligjshmërinë e dispozitave të lartcekura përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.

Në arsyetimin e saj, paditësja kishte theksuar se Ligji nr.04/L-125 për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi ai nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.

Gjykata Supreme, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.

Në aktgjykim, Gjykata Supreme thekson se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor. Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Gjykata Supreme po ashtu ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.

Sipas  Gjykatës, tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, veçanërisht duke pasur parasysh praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit.

Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rilind Gërvalla është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të kanaleve…