“Reflektime në kohë krize”, investim në ndërgjegje
Xhevdet Pozhari
Libri “Reflektime në kohë krize” i Ardian Ramadanit hapet me një përballje të drejtpërdrejtë me keqkuptimin bashkëkohor të “mendimit të lirë”, i cili gjithnjë e më shpesh shfaqet si refleksion pa përmbajtje dhe jo si mendim kritik. Jo rrallëherë kritikat e ambalazhuara në petkun e lirisë, me ose pa vetëdije, përfundojnë në sinkron me makinerinë propagandistike që dëmton interesin kolektiv shqiptar. Autori e shpërfaq këtë shëmti me fakte. Gjuha e tij nuk është ndërgjegjësuese. Ai nuk ngrit gishtin, por ndez dritën e llogaridhënies.
Secili nëntitull i librit është një segment i realitetit shqiptar, i vendosur në dialog me përvojën e demokracive të zhvilluara perëndimore. Nga ky dialog lind kontrasti – jo për të nënçmuar, por për të nxitur reflektim. Përmes krahasimeve të sakta dhe të dhënave konkrete, lexuesit i kultivohet delli i kritikës dhe i mprehtësohen shqisat e gjykimit të shëndoshë. Fenomenet zbërthehen troç, me kujdes dhe pa zbukurime, duke dëshmuar se realiteti i sotëm është produkt i një zinxhiri të gjatë shkak-pasojë. Në thelb, libri synon ta zhvendosë lexuesin nga roli i vëzhguesit pasiv në atë të aktorit të vetëdijshëm. Sepse asgjë nuk ndodh rastësisht. Çdo zhvillim është pasojë e koncepteve ose mungesës së tyre. Në këtë frymë, brenga e autorit shtrihet përtej keqpërdorimit të fjalës së lirë. Ai prek një plagë më të thellë: mungesën e elitave të mirëfillta dhe të strategjive shtetndërtuese që do të orientonin brezat e rinj drejt një të ardhmeje të menduar e të qëndrueshme.
Ardian Ramadanit nuk i mjafton konstatimi. Ai merr përsipër përgjegjësi morale, duke shmangur retorikën e akuzës dhe duke hapur hapësirë për zgjidhje. Me durim analitik shpalos një nga një hallkat që kanë penguar hapërimin kolektiv të shqiptarëve me koncept dhe organizim, duke vënë në spikamë një të vërtetë të hidhur: shpeshherë rastësia ka qenë më përcaktuese se koncepti i mirëmenduar.
“Koha” është boshti rreth të cilit sillet kjo vepër. Autori e trajton atë si provë dhe si mundësi. Ai paralajmëron për rrezikun e “ulërimës së injorancës” në një shoqëri ku zhurma shpesh e mbulon arsyen, ndërsa brezi i ri gjendet në një udhëkryq pa tabela orientuese. Përballë kësaj, ai sjell shembuj nga demokracitë e konsoliduara, duke rikujtuar se idetë i mbijetojnë kohës vetëm nëse mbillen me përgjegjësi sot.
Ky libër është më shumë se një përmbledhje refleksionesh. Është një investim në ndërgjegje. Një ecje nëpër kohë përmes përvojës dhe kujtesës, që synon të mbjellë farën e mendimit të shëndoshë te brezi i ri. Sepse vetëm përmes ballafaqimit me të vërtetën individuale dhe kolektive mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme.
“Reflektime në kohë krize” nuk ofron rehati iluzore dhe as përgjigje të gatshme. Ai kërkon mendim, kërkon guxim dhe kërkon përgjegjësi. Në një kohë kur zhurma shpesh zë vendin e arsyes, ky libër zgjedh të qëndrojë në anën e qartësisë. Sepse shoqëritë nuk rrënohen nga mungesa e fjalëve, por nga mungesa e mendimit dhe nga mosballafaqimi me portretin kolektiv!




