Haradinaj: Masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan mbeten ndër plagët më të rënda
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan mbeten ndër plagët më të rënda që ka përjetuar populli ynë.
“102 shqiptarë të paarmatosur u ekzekutuan pa mëshirë nga njësitet ushtarake e policore të shtetit serb, si hakmarrje ndaj humbjeve që po pësonin në frontet e luftës. Sot, në këtë përvjetor, kujtuam dhe nderuam edhe eprorët e luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo anë e Dukagjinit, të rënë në beteja të ndryshme për liri: Skender Çekun nga Qyshku; Jahë Kabashin, Blerim e Bekim Kelmendin, si dhe Rifat Veselin nga Llabjani”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka thënë se këto masakra janë dëshmi e rrugës së rëndë që kaloi Kosova deri te liria, por edhe e sakrificës së madhe të njerëzve tanë që nuk u përkulën kurrë përballë armikut. “I përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri”, ka pohuar Haradinaj.



