Propozimi që ndërtesës në Ambasadën amerikane në Kosovë t’i vihet emri i Engelit merr aprovimin e parë
Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj që parasheh që një ndërtesë e Ambasadës amerikane në Prishtinë të emërtohet “Eliot L. Engel Building”, në nderim të ish-kongresistit amerikan, që njihej si një nga mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës në Uashington.
Projektligji H.R. 8562, i sponsorizuar nga kongresisti demokrat, Ritchie Torres, u miratua më 13 maj në këtë komitet me 39 vota për dhe shtatë kundër, raporton Radio Evropa e Lirë.
Tani, projektligji duhet të kalojë në procedura të tjera në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan përpara se të shndërrohet në ligj.
Engel vdiq më 10 prill në moshën 79-vjeçare. Në Kosovë, figura e tij u vlerësua lart, teksa Kuvendi u mblodh në një seancë të posaçme për të nderuar kontributin e tij për vendin.
Sipas tekstit të projektligjit, ndërtesa e Kancelarisë së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë do të njihej zyrtarisht si “Eliot L. Engel Building”, ndërsa çdo referencë e mëvonshme në ligje, harta, rregullore apo dokumente të SHBA-së do ta përdorte këtë emërtim.
Projektligji u paraqit më 28 prill nga Torres, së bashku me republikanët Michael McCaul dhe Brian Mast, si dhe demokratin Gregory Meeks.
Të katër ligjvënësit kanë pasuar Engelin në krye të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kryesuesi aktual i komitetit është Brian Mast, republikan nga Florida.
Mast tha se duke pasur parasysh mbështetjen që Engel kishte dhënë për Kosovën, duket e përshtatshme që emërtimi i ndërtesës të Ambasadës të bëhet pikërisht në Kosovë. “Si anëtar i Kongresit, ai luftoi fort në vitet ’90 për të mbështetur ndërhyrjen e SHBA-së dhe për të ndaluar mizoritë që po kryheshin ndaj shqiptarëve etnikë në Ballkan dhe më vonë punoi drejt njohjes së Kosovës nga SHBA-ja”, tha ai.
Gjatë debatit për projektligjin, kongresisti demokrat Gregory W. Meeks, foli për trashëgiminë politike të Engel, i cili ishte larguar nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tre dekadash në detyrë.
Meeks tha se trashëgimia më e madhe politike e Engel është në shtetin e ri të Kosovës. “Ellioti ishte ndër mbështetësit më të hershëm dhe më të zëshëm që SHBA-ja dhe NATO-ja të mbronin kosovarët që po vuanin nga krimet e tmerrshme të luftës dhe gjencodit nga forcat serbe”, tha Meeks, duke kujtuar se ishte pikërisht Engel që kërkoi nga Uashingtoni që të njihte pavarësinë e Kosovës, teksa tha se vazhdoi punën për drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. “Ishte dhe është trashëgimia e Engel dhe kontributet e tij në Kosovë njihen prej kohësh, ku janë emëruar rrugë në emër të tij, madje imazhi i tij është në pulla postare. Dhe, më kujtohet bisedat me të lidhur me emërtimin e rrugëve në nder të tij, sa ishte krenar për këtë”, theksoi ai.
Ndërkaq, kongresisti republikan Kieth Self, ndonëse mbështeti projektligjin, tha se Engel do të donte që Kongresi amerikan të bënte më shumë për Kosovën.
Këtë deklaratë ai e bëri pasi në pikën paraprake të rendit të ditës, Self kishte propozuar një amendament përmes së cilit do të kushtëzohej ndihma ushtarake amerikane për Greqinë, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Greqia është në mesin e katër vendeve të NATO-s dhe pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën – gjë që paraqet pengesë të madhe për integrimin e Prishtinës në këto dy institucione. “Po, ja vlen që të emërohet një ndërtesë në nder të Eliot Engel. Por, mendoj se nëse Engel do të ishte sot këtu, ai do të donte që ne të shkonim përtej kësaj sepse ai e kuptonte rëndësinë e Kosovës në Ballkanin Perëndimor. Dhe, përderisa mendoj se ai do ta vlerësonte emërtimin e një ndërtese në nder të tij, mendoj se ai do të preferonte më shumë që ta avancojmë Kosovën në Ballkanin Perëndimor si shtyllë kyç e stabilitetit në vend të kësaj”, u shpreh Self.
Eliot Engel dhe Kosova
Demokrati Eliot Engel kishte përfaqësuar një pjesë të Bronksit – lagje në qytetin e Nju Jorkut, me një popullsi të madhe shqiptare – që nga viti 1989.
Ai kishte qenë ndër mbështetësit kryesor në Kongresit amerikan për pavarësinë që Kosova e shpalli më 2008. Kjo mbështetje e bëri atë të famshëm në Kosovë, ndërkaq në Serbi ai ishte një figurë e diskutueshme.
Më 2020, gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, Engel kishte folur për Ballkanin Perëndimor, e veçmas për Kosovën, ku kishte qëndruar disa herë. “Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve. Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”.
Engel kishte hyrë në Kongres derisa Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Ai ishte përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale përmes pozitës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht reputacionin si ekspert i Ballkanit.
Engel kishte qenë ndër ligjvënësit e parë amerikan që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.
Një dekadë më vonë, ai ishte edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.



