Shtëpia nuk harrohet nga themeli

14 maj 2026 | 14:51

Shkruan: Hanife Salihu

Nuk duhet dëgjuar e as ndikuar nga të tjerët kur bëhet fjalë për një shtëpi që është ndërtuar nga themeli, nga ata që i dolën zot në ditët më të vështira, me mund, djersë, sakrificë e shumë herë edhe me heqje dorë nga vetja. Një shtëpi që nuk është ngritur me fjalë të mëdha, por me punë të heshtur, me përballje dhe me qëndresë.

Është e dhimbshme kur, pas gjithë atij rrugëtimi, fillon të krijohet ideja se ata që e mbajtën barrën mbi supe duhet të tërhiqen anash, të heshtin, apo të vendosen “në fund”, sikur kontributi i tyre të mos ketë më peshë vetëm pse dikush tjetër sot flet më shumë apo pretendon se “din më mirë”.

Askush nuk e mohon që çdo kohë sjell njerëz të rinj dhe energji të reja. Por është padrejtësi e madhe kur harrohet historia e ndërtimit dhe kur përvoja e atyre që e kanë kaluar çdo stuhi trajtohet si e pavlerë. Sepse një shtëpi nuk matet vetëm me ata që jetojnë sot në të, por edhe me ata që e kanë ndërtuar gur pas guri.

Sot, shpesh duket sikur ata që dikur e mbajtën këtë shtëpi në këmbë, që sakrifikuan gjithçka për të mos e lënë të rrëzohet, po shtyhen në heshtje anash, sikur të mos kenë më vend apo peshë. Ndërsa harrohet se pa ta, nuk do të kishte as derë për të hyrë brenda, as mure për t’u mbështetur.

Kuptohet, fëmijët atëherë kanë qenë fëmijë dhe mosha nuk ua ka mundësuar të bartin barrë mbi supe. Por të paktën do duhej të kishte respekt për ata që e ndërtuan këtë shtëpi kur shumë të tjerë as që afroheshin pranë saj, e disa madje as që interesoheshin nëse ajo do të mbetej në këmbë apo jo.
Sepse është lehtë të hysh në një shtëpi të gatshme, të ngrohtë e të rregulluar. Më e vështira ka qenë ta ndërtosh atë nga hiçi dhe t’i dalësh zot kur frynin stuhitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fenerbahçe ka hyrë fuqishëm në garë për ta transferuar Mohamed…