Transformimi operacional i UÇK-së, doktrina, planifikimi dhe sfidat e fushëbetejë

13 maj 2026 | 14:58

Hisen Berisha, gjeneral

Lufta nuk fitohet me formula të gatshme, por me vendimmarrje të guximshme në momentin e duhur. Lufta nuk është laborator teorik. Ajo është përballje vullnetesh, inteligjence dhe vendimmarrjeje nën presion ekstrem.
Doktrina e orienton mendjen, por realiteti i fushëbetejës e teston karakterin, intuitën dhe guximin e komandantit.
Me oficerët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, zhvilluam ligjëratën përfundimtare me tematikë nga procesi i vendimmarrjes për luftë, operacionet luftarake dhe rolin ushtarak, politik e diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi.
Ligjërata u zhvillua në kuadër të vizitës studimore të programit akademik të Kolegjit, duke ndërthurur analizën teorike me përvojën praktike nga lufta e viteve 1998–1999, me fokus të veçantë në Betejën e Koshares, si një nga momentet më të rëndësishme operacionale dhe strategjike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në këtë kontekst u trajtua rëndësia që kanë përvojat direkte nga fushëbeteja në zhvillimin e doktrinave moderne të luftimit dhe në formimin profesional të oficerëve.
U theksua se teoritë ushtarake marrin kuptim real vetëm atëherë kur testohen në kushte të vërteta lufte dhe kur përballen me presionin, pasigurinë dhe dinamikën e terrenit operacional.
Beteja e Koshares nuk ishte vetëm një fitore taktike në terren, por një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë operacional dhe strategjik. Hapja e frontit dhe heqja me forcën e armës të integritetit territorial të ish-Jugosllavisë dhe APJ duke i marë kazermat ushtarake në vij të kufirit, ndryshoi raportin operacional me forcat serbe, duke i detyruar ato të zhvendosin kapacitete dhe armatime të rënda në zonë.
Kjo ekspozoi objektiva të rëndësishme ushtarake, të cilat më pas u bënë pjesë e goditjeve ajrore të Aleancës Veriatlantike, duke rritur efektin e ndërhyrjes së NATO-s në thellësi të sistemit ushtarak serb.
Në këtë kuptim, Kosharja ishte jo vetëm simbol i vendosmërisë dhe sakrificës, por edhe faktor real në dinamikën strategjike të luftës për lirinë e Kosovës.
Në ligjëratë u trajtuan faktorët kyç që bëjnë diferencën mes fitores dhe humbjes në luftë: edukimi ushtarak, trajnimi për mision, vetëbesimi profesional, fleksibiliteti në vendimmarrje, autonomia në veprim, disiplina operative, organizimi i njësive të vogla luftarake dhe aftësia për të vepruar jashtë shablloneve.
U theksua se lufta reale nuk ndjek skema të ngrira teorike e shabllone sterile.
Asnjë plan nuk i mbijeton plotësisht kontaktit me armikun.
Për këtë arsye, fleksibiliteti, leximi i drejtë i terrenit dhe vendimmarrja e shpejtë mbeten elemente vendimtare në suksesin operacional të çdo ushtrie.
Trajnimi, edukimi, disiplina dhe vetëbesimi profesional janë shtyllat e një ushtrie funksionale, por ato marrin vlerë reale vetëm kur kombinohen me kreativitetin operacional, improvizimin dhe guximin për të vepruar në momentin e duhur.
Në luftë, shpesh grupet e vogla dhe komandantët në vijën e parë bëjnë diferencën strategjike.
Disiplina nuk është vetëm bindje ndaj urdhrave, por aftësi për të ruajtur rendin, kohezionin moral dhe fokusin operacional në situata ekstreme, aty ku presioni psikologjik është po aq i fortë sa zjarri armik.
Historia ushtarake dëshmon se ushtritë janë të mëdha kur fitojnë, por bëhen të vogla kur humbin. Numri nuk është gjithmonë vendimtar.
Vendimtare mbeten morali, organizimi, vendosmëria dhe drejtësia e kauzës.
UÇK – fitoi – zotroi fushëbetejen.
Kjo ligjëratë ishte një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash profesionale me oficerët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë nga Tirana, si dhe për të rikujtuar se përvoja shqiptare e luftës për liri mbetet një shkollë e rëndësishme studimi në aspektin ushtarak, strategjik dhe historik.
“Të ngritemi në nivelin e standardeve, e jo ti zbresim ato në nivelin tonë.”
Një Ushtri ka të ardhme kur ka oficer me nivel të lartë profesional siç treguar gjatë kësaj ligjërate akademike.
“Mospajtimi s’do të thotë mosrespekt.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të monitorimit të zbatimit të Rregullores Nr. 03/2021…