Në Prizren diskutohet zbatimi i sistemit elektronik SMIL në Prokurori
Në kuadër të monitorimit të zbatimit të Rregullores Nr. 03/2021 për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL), Grupi Punues i kryesuar nga Visar Krasniqi, zhvilloi një vizitë pune në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Grupi Punues i përbërë nga prokurori Nexhat Haziri dhe Besim Kusari, u prit nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu, prokurori Ramadan Koro, administratorja Afrdita Salihu dhe shefja e Shkrimores Laura Rakaj.
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i nivelit të zbatimit praktik të Rregullores Nr. 03/2021 nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe mbledhja e të dhënave të nevojshme për hartimin e një raporti me rekomandime konkrete, i cili do t’i paraqitet Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Gjatë diskutimit, Kryesuesi i Grupit Punues, Visar Krasniqi, kërkoi informacione të detajuara lidhur me pengesat eventuale që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit, duke theksuar se çdo proces duhet të evidentohet në SMIL për të garantuar transparencë, efikasitet dhe menaxhim më të mirë institucional. Ai potencoi nevojën për angazhim të shtuar në tejkalimin e sfidave të identifikuara, me qëllim të funksionalizimit të plotë të sistemit elektronik.
Po ashtu, Krasniqi vlerësoi se avancimi i proceseve të punës dhe zbatimi i plotë i sistemit SMIL mbeten të domosdoshme në të gjitha fazat e menaxhimit të lëndëve.
Gjatë takimit, Kryeprokurori Petrit Kryeziu njoftoi se sistemi SMIL përdoret në vazhdimësi nga prokurorët e kësaj prokurorie, duke përfshirë të gjitha fazat e trajtimit të lëndëve – nga pranimi dhe ndarja e tyre deri në ngritjen e aktakuzave. Ai shtoi se sistemi ka lehtësuar menaxhimin dhe nxjerrjen e të dhënave të nevojshme për punën e përditshme.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe harmonizimi i të dhënave ndërmjet regjistrave fizikë dhe atyre elektronik, me qëllim shmangien e mospërputhjeve dhe avancimin e mëtejmë të sistemit në nivel institucional.
Krasniqi theksoi se Grupi Punues synon evidentimin e mangësive në të gjitha prokuroritë e vendit, me qëllim eliminimin e tyre dhe avancimin e mëtejmë të sistemit. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e harmonizimit të regjistrave të SMIL-it me regjistrat fizikë, pasi deri më tani janë evidentuar mospërputhje ndërmjet tyre.
Në përmbyllje, Kryesuesi Krasniqi nënvizoi se zbatimi i plotë i sistemit SMIL është obligim ligjor dhe kërkoi angazhim të shtuar për tejkalimin e pengesave ekzistuese dhe funksionalizimin e plotë të sistemit.
Ai gjithashtu njoftoi se çështjet e ngritura gjatë takimit do të kërkohen edhe në formë të shkruar nga Prokuroria Themelore në Prizren, me qëllim që të përfshihen në mënyrë të saktë dhe specifike në raportin përfundimtar që do t’i dorëzohet Këshillit Prokurorial të Kosovës.



