KQZ-ja anulon edhe tenderin për kabina të votimit, oferta e vetme e pranuar tejkalon buxhetin e paraparë
Për këtë tender, KQZ-ja ka pranuar vetëm një ofertë, e cila tejkalon buxhetin e paraparë për këtë procedurë prokurimi.
Kompania që ka ofertuar është “DIARI BM SH.P.K”, me çmim 21 mijë e 948 euro, ndërkohë vlera që kishte ndarë KQZ ishte 15 mijë euro. Pra, rreth shtatë mijë euro më e lartë.
Edhe ky tender ishte planifikuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anulon aktivitetin e prokurimit sepse oferta e pranuar është mbi buxhetin e AK-KQZ”, është thënë në vendimin e KQZ-së.
Tenderi tjetër për shtypjen e fletëvotimeve u anulua të mërkurën, meqë autoriteti kontraktues nuk ka pranuar asnjë ofertë.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës. /Reporteri




