Rreth 143 mijë aplikime nga mërgata për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

18 maj 2026 | 08:45

Të dielën në mesnatë është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 7 qershor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 142,803 aplikime. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për përfundimin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës dhe të dhënat preliminare nga ky proces.

“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, ka thënë Elezi.

Sipas Elezit, mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës.

“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për votimin me postë janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të botës, përfshirë Kosovën, ndërsa adresat e tyre do të publikohen gjatë javës.

Sipas tij, KQZ-ja do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike ku do të organizohet votimi fizik, pasi disa prej tyre kanë më pak se 50 votues të regjistruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa anti-trupa mund të jenë në gjendjë të heqin pllakat…