Çështjet e identitetit gjuhësor, kulturor, historik e tradicional janë vlera që duhen respektuar, ruajtur dhe trashëguar

20 maj 2026 | 16:40

Dr. Valbona Emini Pllaha, Doktor i shkencave gjuhësore dhe studiuese e koncepteve mbi parandalimin e mizorive masive dhe gjenocidit-

Regjistrimi dhe hapja e kursit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në një ndër institucionet shtetërore në Itali, më dha një ndjesi krenarie po aq sa më kujtoi realitetet e ndryshme me të cilat gjuha shqipe po përballet sot.
Ndërkohë që në Itali, Austri, Gjermani, Zvicër, Amerikë por jo vetëm, po mundësohet institucionalisht mësimi i gjuhës shqipe duke e trajtuar si vlerë dhe jo çështje numrash, e kundërta po ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët që kanë pasur rol të rëndësishëm shtetforumes dhe gjuhën shqipe e kanë gjuhën e tyre amë, po trajtohen si numra dhe po kushtëzohen institucionalisht për ta përdodur atë.
Jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me realitete të ndryshme, por në thelb hapja e kursit në Itali, përtej propozimit dhe përpjekjeve individuale është tregues i vlerësimit dhe gatishmërisë shtetërore në shërbim të ndërveprimit kulturor dhe respektimit të ndërsjelltë ndëretnik.
Njohja e gjuhës dhe kulturës së një populli nuk varfëron dhe dëmton askënd, përkundrazi është aset i shtuar që ia shton vlerat një vendi po aq sa pasuron shpirtin, mendjen dhe nxit qasje të reja ndaj elementeve të përbashkët e të ndryshëm njëkohësisht.
Njohja është një proces që lidhet ngushtë me ekzistencën dhe perceptimin që i shemb muret e ndarjes dhe paragjykimeve. Përmes procesit njohës arrin të kuptosh gjuhën dhe kulturën po aq sa botën dhe shpirtin e një populli. Gjuha kthehet në një urë ndërvepruese në funksion të bashkëpërfshirjes dhe jo distancimit, sepse gjuha në vetvete i shërben komunikimit, mirëkuptimit dhe jo përçarjes.
Për këtë arsye më vjen keq që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me një proces që nuk i ngjan atij njohës dhe as bashkëveprues, por nxit kufizim që përkthehet në mohim, një përpjekje dashakeqëse që nuk përkon me kohët që po jetojmë.
Ndaj e ndjej më shumë se kurrë të sjell në vëmendje se çështjet e identitetit gjuhësor, kulturor, historik, tradicional janë vlera që duhen respektuar, ruajtur dhe trashëguar si domosdoshmëri për një bashkëjetesë në harmoni mes qytetarëve të një vendi.
Tentativa për lëkundjen e shqipes në Maqedoninë e Veriut po tregon përpëlitjen ekzistenciale politike. Një politikë që i frikësohet një komuniteti etnik është e lëkundur dhe e pasigurt në komunitetin e vet. Por sado në krizë të jetë ajo, nuk duhet t’i nxisë qytetarët e vet kundër njëri-tjetrit, përkundrazi duhet të përforcojë marrëdhëniet e tyre për të bashkëvepruar dhe jetuar në harmoni me vlerat e përbashkëta dhe unike të tyre.
Kufizimet nuk nuk duhet të përdoren si zgjidhje të ngërçeve politike, as mohimi dhe gjuha diskriminuese pasi ato vetëm nxisin paqëndrueshmërinë shoqërore dhe kthehen në thirrje që mund të pasojnë në akte agresive të cilat rrezikojnë përshkallëzime deri në luftë civile.
Duhet të kuptojmë që lufta apo agresioni masiv ndodh më shpejt sesa ne mund ta mendojmë, nëse nuk i identifikojmë dhe parandalojmë në kohë faktorët e riskut.
Në debatin e ngritur në Maqedoninë e Veriut dallohen qartë 2 nga 10 faktorët e riskut që mund të prodhojnë më tej dhunë masive, luftë madje edhe gjenocid. Është e dukshme që në këtë problematikë kemi të bëjmë së pari me: *klasifikimin në ‘ne’ dhe ‘ata’ faktor që sjell përçarje, distancim dhe mosidentifikim të njërës palë me tjetrën dhe së dyti me
*diskriminim ku pjesa dominuese mohon ose kufizon të drejtat e pjesës tjetër më pak dominuese.
Ndaj një shtet i qendrueshëm që të parandalojë këtë risk duhet të ndërtojë marrëdhënie të drejta mes qytetarëve të vet në funksion të demokracinë dhe stabilitetit shoqëror. Të shmangë konfuzionet kushtetuese me 20% dhe të identifikojë qartë rolin, vlerat dhe pozicionin që i takon shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.
Përtej faktorëve të riskut, çdo politikë në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojë se gjuha shqipe nuk është thjesht një element apo një objekt arbitrar i vendosur gabimisht diku. Gjuha shqipe është e gjallë dhe jeton si pjesë e shpirtit, identitetit, historisë, kulturës, traditës, përfaqësimit dhe dëshmon se ekzistenca e një numri aq të lartë shqiptarësh nuk është rastësore në ato troje, por është autoktone. Ndaj përpjekja për deformimin e kësaj të vërtete deformon gjithë identitetin kombëtar e vlerat shtetërore.
Prania e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është fakt historik e kjo prani nuk zhbëhet nga përpjekjet kufizuese të së drejtës për ta folur, shkruar e për t’u përfaqësuar zyrtarisht me këtë gjuhë.
Madje mosrespektimi dhe devijimi i marrëveshjeve të bëra mes komuniteteve në atë vend përbën vepër penale dhe bie ndesh me lirinë, demokracinë dhe vlerat kombëtare e ndërkombëtare.
Përpjekja për shurdhimin e një zëri që kumbon, është përpjekje që kamuflon të vërtetën po aq sa rrezikon paqen në vend e rajon. Ndaj krizat dhe kompleksitetet e identitetit kombëtar duhet të kapërcehen sa më shpejt, duke u pozicionuar si duhet krah njëri-tjetrit për të bashkuar meritat, vlerat dhe trashëgiminë e gjithësecilës etni.
Përmes kurseve të gjuhës shqipe sjell edhe njëherë në vëmendje se çdo mësim i gjuhës shqipe kudo ku ka shqiptarë por jo vetëm është një gjurmë e shtuar shqiptare që në këtë moment delikat i tregon botës se në çdo përpjekje për krasitje gjuhësore, degë të tjera më të shëndetshme dhe më të forta do të çelin sërish.
🇦🇱 Shqipes së krasitur ndër vite, rrënjët askush s’ja ka shkulur dot sepse rrënjët janë të shtrira në histori e gjurma është e vjetër po aq sa populli që e flet atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ilir Gashi Nihilisti Albin Kurti deklaroi se “Kosovën e…