Dogana e Maqedonisë së Veriut kap shqiptarin me gjysmë milion euro
Një aksion i koordinuar i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e shumës më të madhe të valutës së huaj në historinë e institucionit, plot 500 mijë euro të fshehura në një bunker të ndërtuar posaçërisht brenda një minibusi. Rasti u zbulua në pikën kufitare Tabanoc, ku autoritetet doganore penguan një tentativë për transferim të paligjshëm të parave jashtë procedurave ligjore.
Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se operacioni u realizua nga Sektori i Kontrollit dhe Hetimeve përmes Departamentit për Punë Operative, me mbështetjen e ekipit mobil, njësisë K9 dhe Shërbimit të Skanerëve Mobilë.
Sipas tij, minibusi, në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria, po hynte në vend përmes pikës kufitare Tabanoc dhe transportonte shtatë pasagjerë. Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë vunë re modifikime të dyshimta në automjet, çka ngriti menjëherë dyshime për kontrabandë.
Pas kontrollit me qen doganor dhe skanimit të automjetit, inspektorët zbuluan një bunker të fshehtë, ku ishin vendosur 14 qese të tejdukshme me gjithsej 500 mijë euro.
“Operacioni u zhvillua shpejt dhe me efikasitet falë profesionalizmit dhe përvojës së ekipeve në terren. Çdo përpjekje për transferim të paligjshëm ndërkufitar të parave të gatshme do të sanksionohet ashpër”, deklaroi Nikollovski.



