25-shi i AAK-së, Dardan Krasniqi, kërkon votën e Llapushës dhe më gjerë
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së dhe ish-ushtari i UÇK-së, Dardan Krasniqi, në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 25 në listën zgjedhore të partisë. Krasniqi i cili vjen nga Malisheva, u ka bërë thirrje qytetarëve të Llapushës, si dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij, që në këto zgjedhje ta mbështesin kandidaturën e tij, në mënyrë që ai të jetë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Thirrja e plotë e tij:
Të dashur qytetarë,
Malishevas të rritur bashkë në ara në fusha e në beteja! Me halle, plagë e dhimbje por krenar për çdo hapë tonin!
Sot vij para jush jo vetëm si kandidat, por si një djalë i rritur në fushat e Llapushës, pranë ujit e gurëve të lumit Mirusha, aty ku njeriu mëson herët çfarë do të thotë djersa, buka dhe fjala e dhënë. Vij si një nga ajo gjeneratë maturantësh që ëndrrat i ndërtoi nën hijen e Ujëvarave të Mirushës, duke u la vapave të verës në pishinën e Banjës, me dashurinë për vendin dhe me besimin se Kosova meriton më shumë.
Jam rritur në bankat e shkollës “Rilindja”, jam pjekur në Gjimnazin “Avdyl Frashëri”, aty ku profesorë si Hamdi Berisha na mësuan se dija pa karakter nuk ka vlerë. Kam vrapuar pas topit si futbollist i Llapushës, sepse sporti më mësoi disiplinën, respektin dhe luftën e ndershme.
Kam mbajtur çiftelinë në dorë në SHKA Rifat Berisha, sepse kënga jonë është histori, është plagë dhe krenari. Jam rritur me zërin e Nexhmije Pagarusha dhe me këngët e rapsodëve të mëdhenj që na mësuan se atdheu nuk matet me fjalë, por me sakrificë.
Dhe kur erdhi koha më e rëndë për vendin, pushka u bë më e rëndë se fjala. Me burrat si Ibrahim Mazreku, me betimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kujtimin e Visarit, Labinotit dhe Elmiut, mësuam se liria nuk dhurohet ajo fitohet.
Prandaj sot kërkoj mbështetjen tuaj.
Jo për një emër.
Jo për një karrige.
Por për një rrugëtim që e njohim bashkë.
Sepse unë vij nga ju. Nga toka juaj, nga dhimbja juaj, nga kënga juaj dhe nga ëndrra juaj. Dhe besoj se ka ardhur koha që zëri i Llapushës, zëri i njerëzve të ndershëm, të dëgjohet fuqishëm. Le të ecim bashkë drejt një të ardhmeje me më shumë dinjitet, më shumë drejtësi dhe më shumë shpresë për çdo familje.
Me besimin tek Zoti, tek populli dhe tek Kosova jonë kërkoj mbështetjen tuaj në këto zgjedhje.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 128
Dardan Krasniqi 25





