Përfaqësuesi i UEFA-s viziton Kosovën, fokus zhvillimi i referimit dhe standardeve në futboll

21 maj 2026 | 11:58

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në takim Nuno Castel, përgjegjësin e Konventës së Referëve për Kosovën, të deleguar nga UEFA.

Ademi ka theksuar se vizita e tij përbën një moment të rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e referimit në vendin tonë, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të UEFA-s për ngritjen profesionale të gjyqtarëve kosovarë dhe forcimin e standardeve në futbollin tonë.

“Gjatë takimit zhvilluam diskutime shumë konstruktive rreth sfidave, objektivave dhe perspektivës së referimit në Kosovë. Përvoja, profesionalizmi dhe vizioni i Castel do të jenë një vlerë e madhe për sistemin tonë të referimit, ndërsa mbështetja e UEFA-s mbetet thelbësore në rrugëtimin tonë drejt profesionalizmit, integritetit dhe rritjes së cilësisë në çdo nivel të garave”.

“Kosova po dëshmon çdo ditë se posedon potencial, talent dhe kapacitete për të ndërtuar një sistem modern, të besueshëm dhe të standardeve evropiane në referim. Takime të këtij niveli janë dëshmi e qartë se puna, përkushtimi dhe vizioni ynë po vlerësohen dhe po marrin mbështetje nga institucionet më të rëndësishme të futbollit evropian”, ka shkruar kreu i FFK-së në “Facebook”.

Me këtë rast, Ademi i ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës Nuno Castel për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të avancimit të referimit kosovar dhe krijimit të më shumë mundësive për gjyqtarët tanë në arenën ndërkombëtare.

“Besoj fuqishëm se përmes bashkëpunimit, vizionit të përbashkët dhe punës së pandalshme, do të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme edhe më të fortë për referimin dhe futbollin kosovar”, ka shkruar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së dhe ish-ushtari i…