Mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen testit më 20 qershor
Më 20 qershor mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore.
Drejtues të Ministrisë së Arsimit kanë bërë me dije se testi do të organizohet në një ditë dhe përbëhet nga tri lëndë të përgjithshme dhe një zgjedhore.
Edhe këtë vit aplikimi do të bëhet përmes platformës online, e cila do të hapet më 1 qershor.
Testi i Maturës Shtetërore këtë vit do të organizohet më 20 qershor në afatin e qershorit dhe më 29 gusht në afatin e gushtit.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigjeje për “Radio Kosovën” ka thënë se këtë vit mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore.
“Testi i Maturës me vendim të ministrit është caktuar të mbahet më 20 qershor për afatin e qershorit dhe 29 gusht afati i gushtit. Kemi diku rreth 18 mijë e 300 maturantë të rinj dhe maturantët që kanë mbetur nga vitet e kaluara, pritet prapë t’i nënshtrohen testit të maturës. Këtë vit aplikimi i nxënësve do të bëhet nëpërmes platformës e Kosova. Platforma online për aplikim do të hapet nga 1 qershori dhe maturantët do të kenë mundësi që deri më datë 12 qershor të paraqesin provimin e maturës”, ka theksuar Fatmir Elezaj.
Ai ka folur edhe për Ligjin e Ri të Maturës, që sipas tij, i jep më shumë kompetencë Inspektoratit Arsimor i cili do ta mbikëqyrë.
“Siç e dini këtë vit është miratuar Ligji i Ri i Maturës dhe përbërja e komisionit është e ngjashme me vitet paraprake, mirëpo diçka e re këtë vit është se ky ligj i ka dhënë rol të posaçëm Inspektoratit të Arsimit i cili do ta mbikëqyrë procesin”, ka thënë ai.
Testi i Maturës Shtetërore do të organizohet brenda një dite për një afat ku nxënësit do t’i nënshtrohen testit në tri lëndë të përgjithshme: Gjuhë Shqipe, Matematikë, Gjuhë Angleze dhe një lëndë me zgjedhje që përzgjidhet nga nxënësi.



