NGA MEMORANDUMI I SANU-SË TE MEMORANDUMI I STUDENTËVE: E NJËJTA IDEOLOGJI, I NJËJTI RREZIK

21 maj 2026 | 21:15

Shkruan: Ibish Neziri

Ky “Memorandum për Kosovën dhe Metohinë” nuk është manifest paqeje, as reflektim akademik dhe as dokument historik serioz. Ai është një jehonë e vonuar e ideologjisë së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), ideologji që në fund të shekullit XX prodhoi luftëra, spastrim etnik, varreza masive dhe katastrofën më të rëndë politike e morale në historinë moderne të Serbisë. Pas frazave për “trashëgimi shpirtërore”, “detyrim historik” dhe “identitet kombëtar”, ky tekst fsheh të njëjtën logjikë hegjemoniste: mohimin e të drejtës së shqiptarëve për liri, barazi dhe shtetësi në vendin e tyre.
Pretendimi se “Kosova dhe Metohia janë pjesë e pandashme e Serbisë” nuk është argument juridik e as historik, por slogan politik i mbijetuar nga shekulli XIX. Kosova nuk mbahet me mite mesjetare, me emocione romantike apo me kujtime të betejave të shekullit XIV. Historia moderne e Kosovës përcaktohet nga realiteti politik dhe nga vullneti i popullit që jeton aty. Dhe ky realitet është i qartë: shqiptarët kanë qenë shumicë absolute në Kosovë për shekuj me radhë dhe nuk kanë pranuar kurrë sundimin serb si legjitim.
Ky memorandum flet për “imperativ moral”, por nuk thotë asnjë fjalë për faktin se Serbia, sidomos gjatë shekullit XX, e trajtoi Kosovën si territor kolonial. Që nga pushtimi i një pjese të madhe të trojeve shqiptare pas Kongresit të Berlinit, spastrimi etnik i shqiptarëve nga Pusta Reka, Toplica, Jabllanica, Nishi, Leskoci e Kurshumlia, e deri te pushtimi i Kosovës më 1912–1913, shqiptarët u përballën me masakra, shpërngulje të dhunshme, kolonizim serb dhe represion të vazhdueshëm shtetëror. Për dekada, politika zyrtare serbe synoi ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe nënshtrimin politik të shqiptarëve.
Asnjë popull në Evropë nuk do të pranonte atë që shqiptarët e Kosovës përjetuan nën regjimin serb. Në vitin 1989 Serbia shkatërroi autonominë e Kosovës me dhunë ushtarako-policore. Më pas filluan largimet masive nga puna, mbyllja e institucioneve arsimore dhe kulturore shqiptare, helmimi i nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, ndalimi i mediave, burgosjet politike dhe terrori policor. Kjo nuk ishte “mbrojtje e rendit kushtetues”, por instalim i një regjimi apartheidi.
Kulmi i kësaj politike erdhi gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, kur aparati shtetëror serb kreu krime masive kundër popullsisë civile shqiptare. Mbi 10 mijë civilë u vranë, qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe dhjetëra masakra mbetën simbol i barbarisë shtetërore serbe. Trupat e shqiptarëve të vrarë u bartën fshehurazi në varreza masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe vende të tjera në Serbi, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Vetë fakti se kufomat e civilëve shqiptarë u transportuan dhe u fshehën në territorin e Serbisë mbetet një nga dëshmitë më të rënda të përpjekjes së organizuar shtetërore për fshehjen e krimeve. Edhe sot, më shumë se 1600 shqiptarë të zhdukur me dhunë gjatë luftës vazhdojnë të figurojnë të pagjetur, ndërsa familjet e tyre presin prej më shumë se dy dekadash të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
Pikërisht për shkak të dimensionit dhe mënyrës së operimit të këtij mekanizmi kriminal, janë ngritur edhe pyetje serioze mbi mundësinë që disa prej këtyre operacioneve të fshehta të kenë pasur dimensione edhe më të errëta. Në këtë kontekst janë shprehur edhe dyshime se çështja e mundshme e trafikimit të organeve dhe lidhjet eventuale me struktura ushtarako-mjekësore (VMA) do të duhej të ishin objekt i një hetimi të plotë, të pavarur dhe ndërkombëtar. Deri më sot, shumë pyetje që lidhen me mekanizmat e fshehjes së krimeve dhe fatin e të zhdukurve mbeten pa përgjigje të plotë.
Është hipokrizi që sot të flitet për “paqen” dhe “të drejtën ndërkombëtare”, ndërsa mohohet vetë shkaku që çoi në ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë. Bota demokratike nuk intervenoi për të ndarë Serbinë nga një “krahinë”, por për të ndalur një regjim që po kryente spastrim etnik dhe krime me karakter gjenocidal.
Prandaj është domethënëse se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, konstatoi qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky është një fakt juridik ndërkombëtar që rrëzon pretendimin se pavarësia e Kosovës ishte “akt ilegal”. Kosova nuk u krijua mbi pushtim apo agresion ndaj Serbisë, por mbi rrënimin përfundimtar të politikës represive serbe në Kosovë.
Memorandumi flet për manastiret dhe kishat serbe, sikur ato ta bëjnë Kosovën pronë ekskluzive të Serbisë. Monumentet fetare dhe kulturore janë pjesë e trashëgimisë së qytetërimit dhe duhet të mbrohen, por ato nuk mund të përdoren si argument për sundim politik mbi një popull tjetër. Me atë logjikë, shumë shtete moderne do të duhej të shpërbëheshin mbi baza mitologjike dhe fetare.
Më shqetësuesja në këtë tekst është se ai vjen nga studentë dhe universitete, pra nga brezi që do të duhej ta çlironte Serbinë nga barrët e nacionalizmit destruktiv. Në vend të reflektimit për krimet, për përgjegjësinë historike dhe për pajtimin me fqinjët, po prodhohen versione të reja të ideologjisë së Memorandumit të SANU-së — ideologji që në fund të viteve ’80 dhe ’90 ndezi zjarrin e luftërave të përgjakshme jugosllave dhe që edhe sot nuk çon askund tjetër, përveçse drejt konflikteve të reja, izolimit politik dhe helmimit të marrëdhënieve ndërmjet popujve të Ballkanit.
Kosova sot është shtet i pavarur dhe realitet politik i pakthyeshëm. Ajo nuk është më “krahinë jugore” e askujt, por vend i një populli që me sakrificë të madhe fitoi lirinë dhe të drejtën për vetëvendosje. Kush vazhdon të jetojë me iluzionin se Kosova mund të kthehet nën sundimin serb, nuk po mbron historinë, kulturën apo paqen — dhe as vetë Serbinë, por vetëm po mban gjallë një ideologji të dështuar, që Ballkanit i ka kushtuar shumë gjak, shumë vuajtje dhe shumë humbje njerëzore.
Prandaj, në vend që të bëhen jehonë e miteve nacionaliste dhe e ideologjive që Serbisë i kanë sjellë vetëm humbje historike, studentët serbë do të duhej të kishin guximin moral dhe intelektual të përballeshin me realitetin. Brezi i ri në Serbi ka mundësinë ta shkëpusë vendin nga trashëgimia e politikave hegjemoniste, ta refuzojë gjuhën e urrejtjes dhe ta kuptojë se e ardhmja nuk ndërtohet mbi mohimin e fqinjëve, por mbi pranimin e së vërtetës dhe respektin reciprok.
Ashtu siç kërkojnë me të drejtë përmbysjen e autoritarizmit dhe të regjimit të Aleksandar Vuçiqit brenda Serbisë, po aq të gatshëm duhet të jenë të distancohen edhe nga ideologjitë që prodhuan Millosheviqin, luftërat dhe katastrofën morale të viteve ’90. Nuk mund të ketë Serbi demokratike dhe evropiane pa ballafaqim me të kaluarën dhe pa pranim të realitetit të krijuar në Kosovë.
Vetëm një Serbi që heq dorë nga mitet e dominimit dhe nga pretendimet ndaj fqinjëve mund të bëhet faktor stabiliteti dhe pajtimi në Ballkan. Dhe pikërisht brezi i ri, studentët dhe universitetet, do të duhej të ishin bartësit e këtij ndryshimi historik, jo prodhues të memorandumeve të reja nacionaliste që rihapin plagët e vjetra dhe ushqejnë konflikte të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale është vënë në panik pas publikimit të raportit…