Panik në Speciale pas raportit britanik, Gjykata mobilizohet dhe kontakton ambasadat e BE-së
Gjykata Speciale është vënë në panik pas publikimit të raportit të avokatëve britanikë nga “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të të akuzuarve, përfshirë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe persona të tjerë të përfshirë në proceset gjyqësore.
Sipas informacioneve të siguruara nga VOX Kosova, Dhomat e Specializuara të Kosovës u kanë dërguar ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian në Hagë një email zyrtar lidhur me këtë raport. Në përmbajtjen e tij, Gjykata pretendon se raporti i BHRC-së “nuk pasqyron në mënyrë të balancuar zhvillimet” në proceset gjyqësore që po zhvillohen atje.
Në të njëjtin komunikim, Gjykata akuzon Avokatin e Popullit të Kosovës, duke e paraqitur atë si nismëtar të raportit. Sipas Speciales, interpretimet dhe vlerësimet e Avokatit të Popullit nuk reflektojnë saktë përmbajtjen e raportit dhe krijojnë një perceptim të gabuar për punën e Dhomave të Specializuara.
Nga emaili, sipas VOX Kosova, kuptohet gjithashtu se ekziston një komunikim i vazhdueshëm mes Gjykatës Speciale dhe ambasadave të Bashkimit Evropian. Që në hyrje të emailit përmendet “fryma e informimit të vazhdueshëm për zhvillimet në Gjykatë”, gjë që ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian po e ndjek dhe e vlerëson këtë proces gjyqësor.
Dyshimet lidhen me faktin nëse ky komunikim paraqet të gjitha palët në mënyrë të barabartë, apo nëse fokusi mbetet kryesisht në qëndrimet e Gjykatës, duke lënë në hije argumentet dhe shqetësimet e mbrojtjes.
Në email, Gjykata shpreh gatishmëri të plotë për të diskutuar më tej raportin me përfaqësuesit diplomatikë, duke u ofruar atyre mundësinë e komunikimit të vazhdueshëm.
Raporti 90-faqësh i BHRC-së, i publikuar ditë më parë nga Avokati i Popullit i Kosovës, evidenton një sërë shqetësimesh serioze lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në proceset që zhvillohen në Hagë. Mes tyre përmenden paraburgimi i zgjatur, mungesa e barazisë së armëve mes palëve, pyetjet sugjestive nga gjyqtarët, mosfiltrimi i provave të ardhura nga Serbia, si dhe niveli i lartë i mbylljes së procesit për publikun.
Ky raport u është përcjellë institucioneve të Bashkimit Evropian dhe autoriteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Avokati i Popullit i Kosovës.
Ndërkohë, Gjykata Speciale kishte reaguar më herët përmes një komunikate, duke pretenduar se raporti ishte shtrembëruar nga Avokati i Popullit. Pas kësaj, edhe vetë BHRC publikoi një sqarim zyrtar, ku theksohej se raporti ishte përgatitur në mënyrë të pavarur, “pa ndërhyrje apo input nga institucioni inicues”.
Komiteti britanik sqaroi gjithashtu se metodologjia e përdorur në hartimin e raportit është bazuar në standarde profesionale dhe praktika shkencore të mirëfillta.



