Nëna e heroit Mentor Krasniqi emocionon Bedri Hamzën në Suharekë: Vetëm bashkë do ta ndryshojmë Kosovën (Video)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka ndarë një moment emocional nga vizitat që po zhvillon nëpër familje kosovare gjatë fushatës zgjedhore.
Në një postim të publikuar nga Suhareka, Hamza është takuar me nënën Arife, nënën e heroit Mentor Krasniqi, për të cilën tha se vazhdon të mbetet shembull i përkushtimit dhe dashurisë për Kosovën, pavarësisht moshës së shtyrë.
“Nëpër dyert dhe zemrat që po na i hapin familjet kosovare anekënd Kosovës, po gjejmë vazhdimisht shumë dashuri, mbështetje dhe vullnet për ndryshim”, ka shkruar Hamza.
Ai ka vlerësuar lart figurën e nënës Arife, duke theksuar se ajo vazhdon të jetë e vendosur për ta dhënë kontributin e saj për vendin.
“Sikur kjo e nënës Arife, nënës së heroit Mentor Krasniqi, e cila, përtej moshës së shtyrë, mbetet e vendosur për ta dhënë kontributin e saj për Kosovën”, thuhet në postimin e tij.
Hamza ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar sloganin e fushatës së PDK-së “STOP krizës. Ndrysho Kosovën”.
“Më 7 qershor, të moshuar e të rinj, burra e gra, profesionistë, punëtorë e ndërmarrës, do të bëhemi bashkë për t’i thënë: STOP krizës. Sepse vetëm bashkë do ta ndryshojmë Kosovën!”, ka deklaruar ai.
Link: https://www.facebook.com/



