22 maji 1999: Lirimi i mbi 2 mijë shqiptarëve nga Burgu i Smrekonicës dhe rrugëtimi drejt Shqipërisë
Më 22 maj të vitit 1999, mbi 2 mijë burra shqiptarë u liruan papritur nga Burgu i Smrekonicës, ku për muaj të tërë ishin mbajtur në kushte çnjerëzore nga forcat serbo-jugosllave.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, forcat serbe që kontrollonin burgun i hipën të burgosurit në autobusë pa u treguar destinacionin. Shumë prej tyre kishin frikë se po dërgoheshin për ekzekutim masiv.
Megjithatë, autobusët morën rrugën drejt Shqipërisë. Disa kilometra larg kufirit në Morinë, të burgosurit u detyruan të zbresin dhe të ecin në këmbë drejt Kukës. Pamjet e asaj kohe tregojnë burrat shqiptarë duke u ngutur përtej kufirit, nga frika se mund të qëlloheshin me armë nga pas.
Gjatë qëndrimit në Burgun e Smrekonicës, të burgosurit ishin mbajtur në kushte të rënda, duke përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Shumë shqiptarë, kryesisht nga zona e Shalës së Bajgorës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, ishin maltretuar vazhdimisht nga forcat serbo-jugosllave. Të mbijetuarit kanë dëshmuar se ishin rrahur me shkopinj druri dhe kondakë armësh në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa në atë kohë ishte raportuar edhe për të vrarë brenda këtij burgu famëkeq.
Për shkak të dhunës sistematike dhe kequshqyerjes, shumë nga të liruarit ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në Smrekonicë ishin mbajtur dhunshëm edhe burra të tjerë shqiptarë, të cilët ishin ndaluar gjatë përpjekjeve për t’u larguar si refugjatë drejt Shqipërisë gjatë muajve mars, prill dhe maj 1999. Në kolonat e refugjatëve, ata ishin ndarë me forcë nga familjet e tyre.
Një nga momentet më prekëse të asaj kohe u regjistrua nga kamerat e agjencisë së lajmeve Associated Press në Kukës, kur dy familjarë nga fshati Rekë i Mitrovicës u ribashkuan pas shumë muajsh ndarje. Njëri sapo kishte mbërritur nga Smrekonica, ndërsa tjetri kishte ardhur më herët në Shqipëri. Të dy kishin menduar se njëri-tjetri ishte vrarë gjatë luftës.



