Muharremi: Kosovari nuk është në shitje!

26 maj 2026 | 19:38
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas vendimit të fundit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori.

Muharremi përmes një shkrimi në Facebook thekson “Kosovari nuk është në shitje”.

Ai tha se pushteti e ka sjell punën aq poshtë saqë me ju thënë “qe 100 euro, edhe ju blejta të gjithëvne”.

Postimi i plotë:

Kosovari nuk është në shitje!

Këta e kanë sjellë punën aq poshtë saqë me ju thënë “qe 100 euro, edhe ju blejta të gjithëvne”. Me njëfar mënyrë po thonë “ju të gjithë jeni budallenjë dhe nuk kuptoni asgjë”. “Luajmë me ju si të kemi dëshirë…”

Kjo është tepër e ulët, për shkak se nënkupton që “nuk ka lidhje si qeverisi apo keq-qeverisi me vite”, nuk ka lidhje “sa janë rritur çmimet e varfëria”, e as nuk ka lidhje që kemi kriza energjetike dhe ekonomike kronike! Ti japë unë 100 euro edhe krejt harrohen, ti ma jep mua votën!

Ky narracion është gjithashtu i pamoralshëm. E trajton kosovarin si një budalla dhe të varfër. Si dikë që ti falë të gjitha gabimet dhe blihet me pak para.

E këto 100 euro nuk janë as 100 euro më, se vlera e tyre, krahasuar me çmimet e psh të vitit 2021, është rreth 60 euro vetëm për produkte ushqimore. Atë që ke blerë me 100 euro në 2021, tani të duhen ndoshta së paku 150 euro në market.

E gjithashtu këto janë para të pastra të qytetarëve, nuk po jua jep askush nga xhepi i tyre. Kosovarët i kanë fituar me djersë; janë nga taksat publike dhe buxheti i shtetit, që është gjeneruar nga qytetarët dhe bizneset.

Por, shumë me rëndësi, këto 100 euro që po shpërndahen për krim dhe korrupcion elektoral, janë disa nga paratë që qeveria aktuale jua mori nga xhepi qytetarëve kur nuk e uli akcizën dhe TVSH-në për naftën, si e gjithë bota, kur nafta arriti deri në 2 euro/litër.

Pra, njëherë jua marrin nga xhepi, pastaj ju varfërojnë duke e keqmenaxhuar energjinë dhe ekonominë përmes inflacionit dhe rritjes së çmimeve si mjet… e krejt në fund, jua japin paratë e juaja si formë bonusi dhe ju thonë “ja, ne jua dhamë këto… na votoni!”

Krejt kjo është një episodë e turpshme e korrupsionit elektoral dhe publik dhe e blerjes së votave përmes parave publike. Një ndër format më të larta të korrupsionit, se këtu po tentohet të vidhet e ardhmja duke blerë individin, kosovarin, e gjithashtu po tentohen të kamuflohen të gjitha dështimet që janë bërë me vite (lista shumë e gjatë).

Prandaj, kosovari nuk duhet të shitet, as për 100 e as për 1,000 euro! Vota e kosovarit duhet dhe është e shenjtë, se ardhmëria e vendit nuk shitet e blihet me 100 euro, as me 1 e 100 milionë.

Merrini paratë, se janë të juajat, janë djersa juaj e nuk jua fali askush, nuk i solli asnjë ministër e as Albin Kurti nga shtëpia e xhepi i tij privat.

Por votën jepeni jo për kriza e për ata që mendojnë që ju shiteni me 100 euro, por për stabilitet institucional dhe politik dhe për një të ardhme ku të gjithë bashkëpunojnë, ku ka shpresë dhe kohezion social. Ku e tashmja dhe e ardhmja nuk kërkohen jashtë vendit, por aty ku jemi lindur.

Dhe kur njeriu nuk blihet e shitet me para, në atë vend ka shpresë për të ardhmën dhe tregohet maturi dhe pjekuri shoqërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar në lidhje me…