FSK-ja pjesë e konferencës më të madhe ndërkombëtare të operacioneve speciale në botë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se operacionet speciale të saj kanë marrë pjesë në konferencën më të madhe ndërkombëtare të operacioneve speciale – “SOF Week 2026”, e organizuar nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USSOCOM) në Tampa, Florida.
Në mesin e 74 delegacioneve nga shtete partnere dhe aleate, delegacioni i operacioneve speciale të FSK-së ka zhvilluar takime me liderë të lartë të komunitetit të operacioneve speciale, duke përfshirë pritjen nga komandanti i USSOCOM, Admiral Frank M. Bradley, si dhe nga komandanti i Operacioneve Speciale për Evropë (SOCEUR), gjeneral Richard E. Angle.
“Pjesëmarrja në këtë konferencë strategjike dëshmon avancimin profesional dhe rritjen e rolit të operacioneve speciale të FSK-së në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
“SOF Week shërben si platformë strategjike për forcimin e partneriteteve, shkëmbimin e përvojave operacionale dhe zhvillimin e kapaciteteve moderne të Operacioneve Speciale në nivel global”, ka njoftuar FSK-ja.



