Besa Ismaili-Ahmeti: Ka qenë një pushtet i krizave që ushqehet me kriza
Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili Ahmeti e ftuar në emsionin “DPT Te Fidani” ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti dhe duke e quajtur atë si pushtet që ushqehet nga krizat.
Ismaili-Ahmeti tha se lideri i PDK-së, Bedri Hamza po punon për të stopuar krizat, raporton KlanKosova.tv.
“Mendoj që ajo që po bën Bedri Hamza tani për të stopuar krizën…Ka qenë një pushtet i krizave që ushqehet me kriza, prodhon kriza dhe nuk di të veprojë ndryshe përpos krizave. Ne po luftojmë me aq shumë vështirësi, ndërsa ai po lufton me krejt botën dhe qytetarët e Kosovës për pushtet, është e pandershme”, tha Besa Ismaili Ahmeti.
Tutje, ajo tha se vendi është përballur me izolim, ngecje të zhvillimit ekonomik dhe vështirësi të ndryshme në grupe shoqërore.
“Asnjë grup shoqëror në Kosovë nuk është duke lulëzuar në kuptimin që është rehat. Shiko sindikatat, shiko mësimdhënësit, vështirësitë e studentëve, zhvillimi ekonomik i ngecur, vendi i izoluar, i paragjykuar, i sanksionuar. Nuk shoh askë që është i lumtur, përveç një turme që e shoqëron Kurtin, sepse në retorikat e tij boshe ata zënë një vend në Kuvend për të mos bërë asgjë”, tha ajo.



