Spanja, mikpritëse e letërsisë dhe kulturës shqiptare
Nga NAMIK DOKLE
• Me rastin e 40-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Spanjë, ambasada shqiptare në Madrid organizoi, në Qendrën e Arteve të Bukura, Ditën e letërsisë shqipe, një bashkëbisedim mbi shkëmbimet letrare shqiptaro-spanjolle në katër dekadat e fundit. Folën ambasadorja Entela Gjika, botuesi spanjoll Manuel Florentin, përkthyesja María Roces dhe shkrimtari Namik Dokle. U recituan pjesë nga autorët shqiptarë Naim Frashëri, Migjeni, Kadaré dhe fragmente nga Epika Legjendare.
I pari libër poetik i letësisë shqipe, i shkruar në Spanjë dhe për Spanjën, është i varrosur në tokën spanjolle, diku në brigjet e lumit Ebro. Ishte përmbledhja poetike e Petro Markos, shkrimtar shqiptar, vullnetar i brigadës internacionaliste “Garibaldi”, që mori pjesë në luftën për një Spanjë demokratike. Poezia e parë ishte:
Madrid,
Më thirre?
Jam këtu.
Dhe erdha porsi era,
Kaptova dete, dhera
Dhe t’erdha,
Madrid.
Në betejën e famshme të Ebros, midis shumë të rënëve, ishte edhe vullnetari shqiptar i lirisë, Ramiz Varvarica. Në varrimin e tij ishte i pranishëm edhe Petro Marko, i cili, kohë më pas, do të kujtonte:
“Po qaja dhe shokët po përpiqeshin të më qetësonin. Ata ndoshta nuk e kuptonin dhimbjen time: një shok i tokës time, një vëlla e prind i mëmëdheut, një luftëtar po varrosej aty, larg nga familja e tij. Nuk kishte lule në atë gurishte të shkretë; këputa një degë ulliri, mora edhe çantën time ku mbaja vjershat e shkruara në Pirenej dhe Madrid, në Ekstramadurë dhe Sierra Morena, në Teruel dhe Gandesa, dhe, bashkë me degën e ullirit, ia vura nën krye shokut tim që po varrosej në tokën spanjolle.”
Vite më vonë, i frymëzuar nga romani i Hemingueit, kushtuar vullnetarëve amerikanë që u vranë në Luftën e Spanjës, shkrimtari ynë Petro Marko shkroi një roman të dedikuar vullnetarëve shqiptarë që dhanë jetën në atë luftë. Është interesante që romanit të shkruar në shqip, autori i vuri titullin në gjuhën spanjolle: Hasta la vista. Spanja mbeti për gjithmonë pjesë e jetës së tij. Siç kujton e bija, gjithnjë këndonte një këngë të Federico Garcia Lorkës, portretin e të cilit e mbante në murin pranë krevatit. Për fat të keq, ky roman i botuar në vitin 1958, edhe pse i përkthyer në gjuhë të tjera, madje edhe në Japoni, nuk është përkthyer në spanjisht.
Përkthimi është një nga rrugët e veçanta për të pajtuar njerëzimin me vetveten. Ai na jep mundësinë që kultura dhe identiteti i një vendi të njihen dhe vlerësohen në një vend tjetër; nxit dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet kulturave të ndryshme, duke promovuar tolerancën dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë. Letërsia e përkthyer mund të frymëzojë dhe pasurojë kulturën pritëse, duke ndërfutur idé dhe perspektiva të reja. Përkthyesit çojnë përpara kulturën dhe shoqërinë në tërësi.
Edhe pse vendi ynë ka pasur dhe ka përkthyes të njohur dhe të talentuar, që e bëjnë letërsinë e zgjedhur botërore të flas shqip, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhët e botës ka qenë një mision i papërmbushur dhe për më tepër kaotik. Në shumicën dërmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave të autorëve shqiptarë për përkthim dhe botim në gjuhë të huaj e kanë ndikuar financat, preferencat rastësore, inercia kulturore dhe snobizmi. Në disa raste, sidomos në vitet e komunizmit, ka ndikuar edhe gjeoplitika. Në ato vite disa nga veprat e autorëve shqiptarë u përkthyen në gjuhët lindore të ish-vendeve komuniste si Bashkimi Sovjetik, Hungaria, Polonia etj. Edhe vepra e parë e Kadaresë, e botuar jashtë vendit, ishte “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në Bullgari. Këta faktorë kanë ndikuar ecurinë jo normale të letërsisë shqiptare drejt kulturave të tjera, duke bërë që kjo letërsi të përjetojë vonesa, të mos ketë një fizionomi të qartë e të përfaqësohet në shumë raste nga libra mediokër, pa rëndësi për kulturën tonë kombëtare.
Në regjimin komunist u bënë disa përkthime dhe botime në gjuhë të huaja në Tiranë, të cilat mbetën vetëm në Tiranë. Kujtoj një dramë që mua më shërbeu vetëm për të pasuruar fjalorin tim të spanjishtes në kohën kur e mësoja si autodidakt. Përkthimi dhe botimi i letërsisë shqipe në gjuhën e Cervantesit ka nisur shumë më vonë se përkthimi dhe botimi i “Don Kishotit” në gjuhën shqipe. Hidalgua i madh foli në shqip që në vitin 1932-1933, ndërsa përkthimi dhe botimi i parë i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Kadaresë, u bë 40 vjet më vonë, më 1973, në Barcelonë. Në vitet tetëdhjetë, pas jehonës së suksesit të Kadaresë në botimet franceze, filloi botimi i tij në shumë gjuhë të botës, gjë që nxiti edhe botimin e librave të autorëve të tjerë shqiptarë jashtë vendit dhe në Spanjë.Panorama u ndryshua dhe u pasurua, sidomos në vitet tetëdhjetë e më pas.
Përhapja e letërsisë shqipe, sipas studiuesve të saj, ndahet në tre zona:
-E para; zona e shkëmbimit të lartë, ku kjo letërsi është e mirënjohur.
-E dyta; zona e shkëmbimit të mesëm, ku letërsia shqipe njihet disi më pak.
-E treta; zona e shkëmbimit të ulët, ku letërsia shqipe është pak e njohur, ose e panjohur.
Spanja bën pjesë në zonën e parë, ku, falë përkthyesit të shquar Ramón Sanchez Lizarralde, të María Roces Gonzáles, të Jesús Hernández, e ndonjë tjetër, tashmë, katalogu i botimeve në Spanjë kalon shifrën 150, gjë që për një vend të vogël si Shqipëria, nuk është pak. Natyrisht, shumica e tyre mbajnë emrin e Kadaresë. Me intensitetin e botimeve të letërsisë shqiptare në gjuhën spanjolle gjatë 40 viteve të fundit, Spanja zë një ndër vendet e para në botë. Dhe çka është e rëndësishme, nga të gjithë botimet në spanjisht, vetëm tetë libra janë përthyer nga gjuhë të treta; gjithë të tjerat drejtpërdrejt nga shqipja në spanjisht. Në Spanjë, për shembull, të gjitha veprat e Kadaresë janë përkthyer nga shqipja në spanjisht, ndërkohë që në shumë gjuhë të tjera janë përkthyer nga frëngjishtja.
Shumë vite më parë, para Luftës së Dytë Botërore, ishte përkthyer në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht vetëm poema “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, edhe kjo pjesërisht. Por nuk pati ndikim të madh në përhapjen ndërkombëtare të letërsisë shqipe, për arsye se vepra e këtij poeti të madh u ndalua tërësisht nga regjimi komunist dhe gjatë 40 viteve nuk u botua asnjë rresht prej saj. Vetëm në vitin 2005, 68 vjet pas botimit të parë, “Lahuta e Malsisë” u botua edhe në anglisht.
Botimi i Kadaresë në Spanjë dhe në 44 gjuhë të tjera pati një impakt të veçantë për letërsinë shqipe. Njëherësh pati rëndësi edhe në një aspekt tjetër: davariti retë e zeza shqiptare që jo rrallë mbulonin disa nga librat e tij. Një nga këto, që vazhdon të nderet sot e kësaj dite, është opinioni se Kadare i ka shërbyer regjimit, se ishte “shkrimtar oborri”. Kohët e fundit në Tiranë u botua libri “Kadare, i oboorit apo i lirisë?”,i autorit Bedri Islami. Autori i librit, duke polemizuar me ata që përpiqen ta paraqesin Kadarenë në dritën e errët të diktaturës, duke u mbështetur edhe në vlerësimet e veprës së tij nga kritika botërore, ( ndër më të mirat edhe ajo spanjolle) thekson se bota kadareane nuk ishte një botë e mbyllur brenda një oborri të ferrtë, por një botë e hapur e lirisë, me dritëhijet e përjetimit, me kërcënimet dhe lëshimet e përkohëshme, me heronjtë dhe fantazmat e saj. Ai nuk ishte skllav i atij oborri, por Bard i Lirisë, frymëzues i pakrahasueshëm i saj, i sakrificave për të dhe mbrojtës i saj, madje herë-herë edhe bir e prijës i saj.

Eseisti Eric Fayé e konsideron Ismail Kadarenë si krijuesin e realizmit ballkanik, por edhe si ndërtues i madh i kujtesës kombëtare shqiptare. Studiuesi spanjoll Moises Mori, i cili ka shkruar një nga librat më të mirë për Kadarenë, duke analizuar romanin “Pallati i ëndrrave” thotë që ai “është një labirinth gjigand ku qindra nëpunës punojnë për të kontrolluar të paprekshmen, intimitetin e njeriut.” Big Brother i Oruellit kontrollon gjithçka, por te Kadareja kontrolli i diktaturës është diçka më shumë se gjithçka: kontrollon edhe ëndrrat. Kur u botua ky libër, Ramiz Alia, numri dy i pushtetit të atëherëshëm në Shqipëri, në prani të dhjetëra shkrimtarëve dhe artistëve, e kërcënoi Kadarenë, duke i thënë: “ Partia dhe populli të kanë ngritur në Olimp, por po të mos jesh besnik, të zbresin në greminë.” Ky ishte një kërcënim i hapur për të gjithë shkrimtarët dhe artistët e kohës, kërcënim ky që, me të vërtetë, u bë gremina e disa shkrimtarëve, publicistëve dhe artistëve, të cilët u pushuan nga puna, u përzunë nga kryeqyteti, u internuan apo u burgosën, dhe ky represion kulmoi me pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, në vitin 1977 dhe varjen e poetit Havzi Nela, në vitin 1988, vetëm një vit para rënies së Murit të Berlinit dhe dy vjet përpara rënies së diktaturës në Shqipëri.
Por Ismail Kadare rezistoi me letërsinë e tij. Shumë herë iu desh të kalonte në nëntë rrathët e represionit komunist, si shigjeta e Odiseut në poemën e Homerit. Ai ishte nga shkrimtarët më të kritikuar, më të anatemuar dhe më të kërcënuar. Shumë libra iu ndaluan, disa të tjerë u vonuan të botohen muaj dhe vite, u organizuan disa herë fushata kundër librave të ndryshëm të Kadaresë. Në maj 1973, kur unë isha gazetar i ri, u botua romani i Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Menjëherë filloi një fushatë kundër romanit, në gazeta, mbledhje dhe në zyra të ndryshme të shtetit. Unë bëra një shkrim nga një takim i shkrimtarit me punëtorë dhe inxhinierë të një uzine të Tiranës, duke përfshirë edhe disa mendime të vetë Kadaresë për romanin e tij. As gazeta ku unë punoja dhe as gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk pranuan ta botonin shkrimin; ishte “porosi” e zyrave qendrore që ai roman të sulmohej dhe të mos mbrohej.
Por Kadare, edhe pse ishte i kërcënuar me greminë, i kapërceu kufijtë e mbyllur të Shqipërisë. Çdo botim i librave të tij jashtë Shqipërisë, sidomos në Perëndim, Francë, Spanjë, SHBA etj. ishte një festë edhe për lexuesit shqiptarë, të cilët ndienin se nuk ishin të vetmuar në entusiasmin dhe adhurimin e veprës së shkrimtarit të tyre të parapëlqyer. Ndoshta për këtë arsye, Kadaré i tha një shkrimtari shqiptar, të pëlqyer nga kritika zyrtare dhe zyrtarët e lartë:” Ta kam falur Tiranën; unë kam botën.”
Pas Kadaresë u zgjua vëmendja e botës së jashtme letrare edhe për autorë të tjerë shqiptarë, për botimin e disa prej të cilëve ai ndikoi edhe personalisht e drejtpërdrejt. Veprat e tij kanë patur një impakt sinjifikativ; pas tij janë përkthyer, në gjuhë të ndryshme, shumë autorë të tjerë shqiptarë si Mitrush Kuteli, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Zija Çela, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiu, Jeton Neziraj, Diana Çuli, Besnik Mustafaj, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Stefan Çapaliku, Flutura Açka, Visar Zhiti, Ben Blushi, Rita Petro, Bashkim Shehu, Ylljet Aliçka, Luljeta Lleshanaku e shumë të tjerë. Në Spanjë, shkrimtari më i përkthyer pas Kadaresë, është Fatos Kongoli, me gjashtë romane, të gjithë të botuar nga SIRUELA dhe me kujdesin e Ana Cristina Herreros, e pranishme sot këtu. Bashkim Shehu ka katër libra të përkthyer në spanjisht; po ashtu janë botuar edhe katër libra nga folklori shqiptar, mes të cilëve edhe EPIKA LEGJENDARE, që doli në publik para pak ditësh. Me rëndësi të përmendim botimin në spanjisht, në dy vitet e fundit, të veprës poetike të Naim Frashërit dhe “Vargjet e lira” të Migjenit.
Dua të nënvizoj që botimi i letërsisë shqipe në Spanjë ka patur ndikim shumë pozitiv në shkëmbimet letrare shqiptaro-spanjolle. Çdo vit botohen vepra të letërsisë spanjolle në Shqipëri. Krahas autorëve si Cervantes, Lope de Vega, Vicente Blasco Ibañez, Machado, Federico Garcia Lorca, Miguel Hernández, Juan Ramón Jiménez etj. tashmë, në Shqipëri janë të njohur e të pëlqyer edhe shumë autorë të tjerë si Camilo José Cela, Javier Marias, Carlos Ruiz Zafón, Fernando Aramburu, Almudena Grandes, Manuel Vilas etj. Janë botuar gjithashtu shumica nga emrat e njohur të letërsisë amerikanolatine: Neruda, Borges, Marquez, Llosa, Rulfo, Asturias, Cortasar, Fuentes, Sabato, Bolanjo etj.
Do të përfundoj me një sentencë shqiptare: “ Njeriun nuk duhet ta shashë pas shpine dhe nuk duhet ta lavdërosh para syve.” Por unë nuk e përballoj dot tundimin për ta shkelur këtë rregull. Në krahun tim është María Roces, njeriu që mban akoma gjallë përkthimin e letërsisë shqipe në spanjisht. Për fat të keq, tashmë, ka mbetur e vetmja. Kush do të jetë pas saj? Askush nuk e di dhe askush nuk pyet për këtë gjë në institucionet e kulturës dhe të artit në Shqipëri. Na mbetet vetëm të urojmë që María të rrojë njëqind vjet dhe shumë më tepër se aq!
Mirënjohje për gjithë të pranishmit!
Madrid, 27 maj 2026



