‘Bashkëbisedim me Fadil Vaten’, libri më i ri nga Hajdin Abazi
Veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka sjellë për lexuesin librin më të ri: “Bashkëbisedim me Fadil Vatën”, një vepër që hedh dritë mbi jetën, veprimtarinë politike dhe angazhimin kombëtar të njërit prej figurave më të njohura të lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë.
Libri sjell dëshmi, kujtime dhe rrëfime për Fadil Vatën, duke e paraqitur atë si një lider politik me formim filozofik dhe organizativ, i përfshirë në lëvizjet ilegale që nga fundi i viteve ’70.
Në këtë libër përshkruhen aktivitetet e Fadil Vatës në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), organizimi i protestave studentore dhe përkrahja për grevën e minatorëve të vitit 1989.
Autori Hajdin Abazi ka përmendur edhe bashkëpunimin e Fadil Vatës me figura të njohura të kohës, si Afrim Zhitia dhe Ali Ahmeti, në organizimin e rezistencës politike kundër regjimit serb.
Në pjesën biografike të veprës, Fadil Vata është prezantuar si një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, i lindur më 3 janar 1962 në Sallagrazhdë të Suharekës, i cili është përballur me burgosje dhe ndjekje politike për shkak të aktivitetit të tij atdhetar.
Libri “Bashkëbisedim me Fadil Vatën” vjen si një kontribut dokumentar dhe historik për periudhën e rezistencës shqiptare në Kosovë, duke sjellë detaje dhe dëshmi për organizimin politik të kohës dhe figurat që vepruan në ilegalitet.
Librin mund ta gjeni në redaksinë e gazetës “Epoka e re” në Prishtinë dhe së shpejti në libraritë kryesore në Prishtinë.




