Një në katër të rinj përdor produkte duhani në Kosovë

31 maj 2026 | 09:51

Me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, Aleanca për të Ardhmen Pa Duhan e Nikotinë ka ngritur shqetësimin për rritjen e përdorimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës tek fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe shoqëria.

Sipas të dhënave të Anketës Globale për Përdorimin e Duhanit te të Rinjtë (GYTS 2025), 23.5 për qind e nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeç përdorin aktualisht produkte duhani, ndërsa 11.2 për qind konsumojnë cigare.

Aleanca vlerëson se trendi paraqet një rritje shqetësuese krahasuar me vitet e mëparshme, duke theksuar se ndikim të veçantë në këtë situatë kanë cigaret elektronike (vape) dhe produktet e reja të nikotinës, të cilat po bëhen gjithnjë e më të përhapura tek grupmoshat e reja.

Në reagimin e saj, Aleanca ka kërkuar masa urgjente për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga ekspozimi dhe qasja në këto produkte. Ndër kërkesat kryesore janë ndalimi i shitjes së cigareve, vape-ve dhe produkteve të nikotinës në afërsi të shkollave, forcimi i zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe zhvillimi i programeve të vazhdueshme edukative në institucionet arsimore.

Sipas Aleancës, parandalimi i varësisë nga nikotina në moshë të hershme duhet të jetë prioritet i politikave publike, duke pasur parasysh pasojat afatgjata që sjell përdorimi i këtyre produkteve në shëndetin e të rinjve./KosovaPress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia dhe qeveria e Afganistanit e drejtuar nga talibanët kanë…