Sa fituan klubet nga Champions League? PSG kryeson listën e përfitimeve
Edicioni i këtij sezoni i Ligës së Kampionëve, kompeticionit më të rëndësishëm për klube në futbollin evropian, përfundoi mbrëmë me triumfin e Paris Saint-Germainit në finalen e madhe kundër Arsenalit.
Pas një përballjeje të luftuar deri në fund, fituesi u vendos vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Skuadra franceze u tregua më e saktë nga pika e bardhë, duke fituar me rezultat 4-3 dhe duke ngritur trofeun e shumëpritur.
Përveç suksesit sportiv, Liga e Kampionëve vazhdon të mbetet edhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për klubet pjesëmarrëse. Siç pritej, ekipet që arritën më larg në garë përfituan edhe shumat më të mëdha financiare.
PSG kryeson listën me 145.9 milionë euro të arkëtuara, ndërsa Arsenali, si finalist, siguroi 143.2 milionë euro. Këto të ardhura lidhen me bonuset e rezultateve, kualifikimet në fazat e turneut dhe pjesëmarrjen në garë.
Në vendin e tretë renditet Bayern Munich me 127.3 milionë euro, i ndjekur nga Liverpooli me 109.5 milionë euro. Atletico Madridi përfitoi 104.2 milionë euro, ndërsa Real Madridi 102.6 milionë euro. Në mesin e klubeve me fitimet më të larta nga ky edicion është edhe Barcelona, e cila arkëtoi 100.3 milionë euro.
Shifrat tregojnë edhe një herë peshën ekonomike që ka Liga e Kampionëve, pasi çdo fazë e kaluar në kompeticion sjell të ardhura shtesë dhe rrit ndjeshëm përfitimet e klubeve gjatë sezonit.



