Rivali i Perezit për president të Reali zbulon planin e madh: Rauli, drejtor sportiv, e kam zgjedhur trajnerin
Kandidati për presidencën e Real Madridit, Enrique Riquelme, e ka bërë një premtim të fortë para zgjedhjeve të klubit, duke zbuluar se legjenda e klubit, Raúl Gonzalez Blanco, do të jetë drejtor sportiv nëse ai e fiton garën për kreun e “Los Blancos”.
Gjatë një interviste në Spanjë, Riquelme theksoi se projekti i tij e synon rikthimin e identitetit tradicional të Real Madridit dhe forcimin e lidhjes me figurat historike të klubit.
Sipas tij, Raul është personi ideal për ta udhëhequr projektin sportiv falë eksperiencës së jashtëzakonshme si lojtar dhe njohjes së thellë të ambientit madrilen.
Riquelme bëri të ditur se tashmë ka arritur marrëveshje me ish-sulmuesin legjendar dhe se, në rast fitoreje, ai do ta marrë menjëherë detyrën e drejtorit sportiv.
Kandidati e vlerësoi kontributin e Raulit ndër vite, duke e konsideruar atë një nga figurat që i mishërojnë më mirë vlerat e klubit.
Përveç kësaj, Riquelme zbuloi se e ka përzgjedhur edhe trajnerin e ardhshëm të ekipit, por refuzoi ta publikojë emrin e tij.
Ai la të kuptohet se marrëveshja është arritur prej kohësh dhe se bëhet fjalë për një trajner që aktualisht është nën kontratë me një klub tjetër.
Në aspektin e “tregut”, kandidati për presidencën e ka premtuar afrimin e emrave të mëdhenj.
Ai e ka përmendur mesfushorin e Rodri si një nga objektivat kryesorë dhe ka lënë të kuptohet se po punon për transferimin e dy futbollistëve të nivelit botëror në rast se i fiton zgjedhjet.
Zgjedhjet presidenciale në Real Madrid do të zhvillohen më 7 qershor, ku Riquelme do ta sfidojë presidentin aktual Florentino Pérez për drejtimin e klubit.



