Zhegrova në stol te Juventusi, Durmishi ftohet për ndeshjen ndaj Genoas
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, sipas të gjitha gjasave do ta nisë nga stoli ndeshjen e radhës të Juventusit.
Mediumet italiane kanë bërë me dije të mërkurën se trajneri Luciano Spalletti e ka vendosur tashmë formacionin për duelin kundër Genoas, por pa Zhegrovën në njëmbëdhjetëshen startuese.
Kështu, Zhegrova pritet të jetë rezervist edhe në përballjen Genoa – Juventus, e cila zhvillohet sonte nga ora 20:45. Mbetet të shihet se sa minuta do të aktivizohet futbollisti kosovar.
Ndërkohë, në stol pritet të jetë edhe sulmuesi shqiptar Arman Durmishi, i cili është pjesë e ekipit të dytë të Juventusit, të njohur si Next Gen, që garon në Serie C.
Durmishi është ftuar nga Spalletti për ndeshjen ndaj Genoas, e vlefshme për xhiron e nëntë të kampionatit italian, Serie A.
Sulmuesi vlerësohet lart nga drejtuesit e Juventusit dhe shihet si një prej talenteve që mund të ketë rol të rëndësishëm në repartin ofensiv të ekipit të parë në të ardhmen.



