Përurohet Shërbimi i Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan

02 qershor 2026 | 13:08

Spitali i Përgjithshëm Gjilan po kalon nëpër një transformim modern, duke investuar në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, ku synojmë të përmbushim çdo kriter që plotëson standardet evropiane të kujdesit shëndetësor.

Drejtori i Spitalit, dr. Afrim Cana, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, dhe drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizi përuruan Shërbimin e Hemodializës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. “Përmes këtyre investimeve synojmë të rrisim cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e kujdesit shëndetësor, duke siguruar që pacientët tanë të marrin shërbime sa më cilësore, më të qasshme dhe në përputhje me standardet bashkëkohore të trajtimit”, ka thënë ai.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, dr. Afrim Cana, ka theksuar se ndihet i lumtur për projektet e realizuara sipas planit të punës. “Ky projekt, si Hemodializa, është njëri nga projektet tona tashmë i realizuar sipas standardeve evropiane, përmes angazhimit të përbashkët me SHSKUK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Menaxhmenti i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtij shërbimi specifik, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve mjekësore dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që pacientët të marrin këtë shërbim në kushte sa më të mira të mundshme, në një mjedis modern dhe funksional, me siguri maksimale dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mirëpritur investimet në shëndetësinë e Gjilanit, duke i vlerësuar ato si një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mirëqenies së qytetarëve.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka thënë se vazhdon mbështetja për të gjitha spitalet e përgjithshme dhe institucionet shëndetësore, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e tyre për investime në infrastrukturë, pajisje mjekësore dhe avancim të kapaciteteve profesionale.

Udhëheqësi i Shërbimit të Hemodializës, dr. Afrim Bekteshi, ka thënë se gjatë vitit 2025 në këtë shërbim janë realizuar gjithsej 6,184 trajtime të dializës, me një mesatare prej 515 pacientësh në muaj dhe rreth 25 pacientë në ditë. Ai bëri me dije se gjatë muajve të verës numri i pacientëve rritet për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Komuna…