Lidhja e Bizneseve të Kosovës hap zyrën e parë të diasporës në Gjenevë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka hapur zyrtarisht Zyrën e parë të Diasporës në Gjenevë, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik me mërgatën shqiptare.
Ceremonia e hapjes së zyrës u zhvillua me pjesëmarrjen e kryetarit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, dhe nënkryetari, Hashim Deshishku, të cilët theksuan rëndësinë strategjike të këtij projekti për lidhjen e diasporës me ekonominë e Kosovës.
Me këtë rast, kryetari Besart Dreshaj nënshkroi vendimin për funksionimin e Zyrave të Diasporës dhe emëroi Xhavit Islami si koordinator të zyrës në Gjenevë.
Ky projekt synon të afrojë më shumë diasporën me ekonominë e Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për investime, rrjetëzim biznesor dhe promovim të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij funksionimi, zyra e re në Gjenevë do të shërbejë si pikë kontakti për: lehtësimin e investimeve në Kosovë dhe nga diaspora; krijimin e bashkëpunimeve ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës; ofrimin e informatave mbi mundësitë investuese; dhe promovimin e produkteve kosovare jashtë vendit.
Në këtë takim u tha se një falënderim i veçantë i drejtohet Konsullit të Nderit të Maqedonisë së Veriut, Zaim Jashari, për bashkëpunimin e ngushtë, mbështetjen dhe mundësimin e hapësirës së zyrës, duke dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij misioni.
Pas Gjenevës, Lidhja e Bizneseve të Kosovës planifikon zgjerimin e rrjetit të zyrave të diasporës edhe në vende të tjera, me synim fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional me mërgatën shqiptare.



