PROZA E GJALLË
DAVID LODGE
Lolita, drita e jetës sime, zjarri i vetes sime. Mëkati im, shpirti im. Lo-li-ta: maja e gjuhës bën një udhë prej tre hapash poshtë qiellzës për të cikur dhëmbët tek e treta. Lo. Li. Ta.
Ajo ishte Lo, thjesht Lo, në mëngjes, me shtatin katër këmbë e dhjetë inç, me vetëm një çorape mbathur. Ajo ishte Lola me pantallona sportive. Ajo ishte Dolli në shkollë. Ishte Dolores në dokumente. Por në krahët e mi ishte gjithmonë Lolita.
Kishte pasur ajo ndonjë paraardhëse? Patjetër që kishte pasur, vërtet. Në fakt, mund të mos kishte pasur fare Lolita, po të mos kisha dashur një verë, një vajzë miturake. Në principate buzë detit. Oh kur? Pothuajse aq vite përpara se Lolita të kishte lindur, aq isha unë atë verë. Kurdoherë duhet të keni parasysh një vrasës për një stil të gjallë proze.
Zonja dhe zotërinj të jurisë, prova numër një është ajo që serafimët, të keqinformuarit, të thjeshtët, serafimët me flatra fisnike zilepsnin. Vështrojeni këtë kurorë gjembash.[1]
VLADIMIR NABOKOV, Lolita (1955)
RREGULL I ARTË i prozës fiksionale është se nuk ka rregulla përveç atyre që shkrimtari ia vë vetes. Përsëritja dhe thjeshtësia (zakonisht) funksionuan për qëllimet artistike të Hemingwayit. Variacioni dhe dekorimi funksionuan për Nabokovin, sidomos te Lolita. Ky roman merr formën e përgjërimit të veçantë të një burri, të cilin e tërheqin një lloj i caktuar i vajzave adoleshente, të cilat ai i quan “nimfa” dhe e shtyjnë drejt veprimeve të liga. Qysh në botimin e parë, por edhe tani, libri ngjalli polemika të mëdha, sepse abuzuesi dhe vrasësi i fëmijëve shkruan me një elokuencë fascinuese. Siç thotë vetë Humbert Humberti, “Për një stil të gjallë në prozë gjithmonë mund të keni parasysh një vrasës”.
Natyrisht, në fragmentin hyrës të romanit ka shumë përsëritje, por nuk janë përsëritje leksikore siç i kemi hasur në fragmentin e Hemingwayit të trajtuar më parë. Bëhet fjalë për struktura sintaksore paralele dhe tinguj të ngjashëm – në fakt, këtë lloj përsëritjeje shpresoj më ta hasim në poezi. (Term tjetër për prozën e gjallë është prozë poetike.) Për shembull, në paragrafin e parë kemi një paraqitje reale të shpërthimit të aliteracionit, “l-të” dhe “t-të” godasin shkëlqyeshëm shenjimin euforik të emrit të dashur: dritë, jetë, vete, gjuhë, udhë[2]. Lo. Li. Ta.
Katër paragrafët e parë shfaqin një lloj diskursi të ndryshëm nga njëri-tjetri. I pari është shpërthim lirik, një varg pasthirrmash, pa folje të fundme. Breshëria hyrëse e metaforave është ekstravagante dhe paksa arkaike në diksion: drita e jetës sime, zjarri i vetes sime, mëkati im, shpirti im(shumë aliteracione). Metafora e radhës, e gjuhës që udhëton poshtë qiellzës për të cikur dhëmbët, është më e zakonshme dhe humoristike, por e tërheq vëmendjen tek organi që përdoret edhe në shërbim të elokuencës, edhe epshit, që asnjëherë nuk gjenden larg njëri-tjetrit te ky personazh.
Paragrafi i dytë është evokues. Seria e klauzolave të strukturuara në mënyrë identike renditin variantet e emrit të së dashurës si litani profane: Ajo ishte Lo… Ajo ishte Lola… Ajo ishte Dolli… Ishte Dolores… Por, në krahët e mi ajo ishte gjithmonë Lolita. Kjo mund të përcillet me muzikë. (Në fakt, Lolita është inskenuar në një muzikal fatkeq, “një dështim i vockël i mirë”, vuri në dukje ftohtë Nabokovi në ditarin e tij.) Dhe sigurisht, nëse nuk e kemi ditur, ky paragraf jep aludimin e parë që Lolita e mitur ishte objekt dëshire, në bazë të referencës për gjatësinë, çorapet dhe shkollën.
Paragrafi i tretë merr tjetër kahe. Ai është më bisedor dhe u përgjigjet pyetjeve të nënkuptuara të bashkëbiseduesit të paemër në mënyrën e një monologu dramatik: “Kishte pasur ajo ndonjë paraardhëse?” Përgjigja pohuese jepet poetikisht: “Kishte pasur, kishte pasur”. Fraza argumentuese, “Në fakt”, na përgatit për evokimin eksplicit të kontekstit të sallës gjyqësore në paragrafin e fundit. (Mendohet se Humberti është duke shkruar apologjinë e tij ndërkohë që pret gjyqin.) “Oh kur?” Përgjigjja enigmatike dhe e tërthortë vë në plan të parë dallimin e madh në moshë midis Humbertit dhe Lolitës.
Intriga narrative, në këtë paragraf, fillon me ngritjen e pyetjeve shkak-pasojë (“mund të ketë pasur… apo jo..”..) dhe me ngritjen e pyetjeve mbi identitetin e “së miturës së parë”. Rritja e cilësisë poetike bëhet duke aluduar në poezinë e njohur Annabel Li të Edgar Allan Poesë:
Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet,
N’atë mbretëri buzë detit,
Po duheshim më tepër se me dashuri –
Unë dhe imja ANNABEL LI –
Me një dashuri qe edhe engjëjt lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.[3]
Shpjegimi dhe justifikimi i Humbertit për fiksimin erotik ndaj vajzave të reja ka të bëjë me një të dashur adoleshente të quajtur Annabel, e cila vdiq para se ta përmbushnin dashurinë e tyre. Poema e Poesë është një lament sentimental me të njëjtën temë: folësi fajëson engjëjt ziliqarë për marrjen e së dashurës nga kjo botë dhe gjen ngushëllim duke u shtrirë pranë varrit të saj. Megjithatë, Humberti kërkon, në mënyrë të paskrupullt, nimfa surrogate për Annabelën e tij. Ekziston një nënqeshje djallëzore në epitetet që vepër serafimët, “të keqinformuarit, të thjeshtët, me flatra fisnike” dhe një aludim blasfemues se vuajtja e tij duhet të krahasohet me kurorën e gjembave. (Ky lloj imitimi i tekstit me një tekst tjetër njihet si intertekstualitet dhe meriton një kapitull me vete – shih f. 69)
Ne mahnitemi me virtuozitetin e Nabokovit në një gjuhë që nuk ishte gjuha e tij amtare por, mbase, pikërisht ky fakt e bëri t’i zbulonte pasuritë e prozës angleze dhe t’i përdorte pandalur e me kënaqësi.
Një nga eksponentët më të hershëm të “prozës së gjallë” në fiksionin anglez – në të vërtetë, dikush rrezikon ta quajë të parin – ishte shkrimtari elizabetian John Lyly. Vepra Eufesi: Anatomia e mendjes (1578) ishte libër tejet modern për kohën e tij, ku autori sajoi fjalën “eufuizëm” dhe mbiemrin “eufuist” (të mos ngatërrohen me eufemizëm/eufemistik). Ja shembulli:
Ngjyrat e freskëta zbehen më së shpejti, briskut të mprehtë më së shpejti i prishet tehu, pëlhura më e mirë më së shpejti hahet nga moli, dhe kambriku njolloset më shpejt se kanavaca e trashë. Kjo paraqitej bukur te Eufesi, gjykimi i të cilit, si rritja e hënës, pranonte çdo përshtypje dhe duke mbajtur kokën në duar hamendej a të përdorë frerët apo mamuzin, injoronte këshillat, largohej nga vendi, urrente të njohurit e vjetër, mendonte se ose me zgjuarsi të fitonte ndonjë betejë ose me turp ta duronte ndonjë konflikt; i cili, duke preferuar qejfet para miqve dhe disponimin e çastit para nderit të fituar, e lëshoi arsyen në ujë, që ishte shumë i njelmët për shijen e tij dhe ndoqi bindjet e shfrenuara, si gjëja më e këndshme për të.
Në pjesë të shkurtra fragmenti është mjeshtëror dhe argëtues, por pas disa faqeve ai është në gjendje ta lodhë lexuesin modern nga njëjtësia e paraqitjes stilistike. Të njëjtat modele të sintaksës dhe tingullit përdoren vazhdimisht nga të gjithë personazhet si dhe nga zëri autorial. Kjo është një lloj proze ekskluzivisht letrare që i përket krejtësisht fjalës së shkruar. Ajo çfarë mungon, ajo çfarë hyri në prozën e letërsisë angleze midis Eufesit dhe Lolitës, është tingulli i zërit njerëzor, ose shumë zërave të cilët flasin me theks, ritme dhe regjistra të ndryshëm që gjallëruan dhe modifikuan modelet formale të retorikës letrare. Për këtë do të flasim më shumë në kapitullin nën titullin “Të rrëfesh me zëra të ndryshëm” (27). E tash flasim për: intertekstualitetin.
Përktheu nga origjinali (anglishtja): Meliza Krasniqi.
Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.
© “Armagedoni”.
[1] Lolita, Vladimir Nabakov, Apolonia, Tiranë, 1995, përkthyer nga Lili Bare.
[2] Në gjuhën angleze kjo duket kështu light, life, loins, tip, tongue, aliteracion i pastër.
[3] Përkthyer nga Fan S. Noli, marrë nga webfaqja; https://www.voal.ch/ annabel-li-poezi-nga-edgar-allan-poe-shqiperoi-fan-noli-2/kulture/letersi/



