Poezi nga William Wordsworth
ENDESHA I VETËM SI NJË RE
Përherë i vetëm endesha unë,
Si një re që lundron lart;
Kur, papritur, sytë më zunë,
Zambakë të bardhë e të artë.
Buzë liqenit, kishin mbirë vetë
E në fllad, valëviteshin lehtë.
Një hark i gjatë, i bukur, si yjet
Në Rrugën e Qumështit, rresht;
Në dy ngjyra bregu lyhet,
Kur flet natyra, njeriu hesht.
Mijëra zambakë, me një vështrim
Pashë, që tundin kokat në vallëzim.
Valët e liqenit duke valëzuar,
Zambakët lëkundeshin më fort,
Zemra e poetit hovte e gëzuar,
Dhe sytë i mbusheshin me lot.
Vështroja, pa kuptuar, në admirim,
Sa i pasur ishte bërë shpirti im.
Shpesh herë, në shoqërinë e yjeve,
Me orë qëndroj, rënë në mendime;
Më shfaqen zambakët para syve,
Si një ngushëllimpër vetminë time.
Atëherë, zemra, merr prapë jetë,
Me zambakët që kishin mbirë vetë…
Shqipëroi: Rudi Bobrati
Zemra ime kërceu përpjetë
Zemra ime kërceu përpjetë kur vështrova
Një ylber në qiell, si një urë:
Kështu ndodhi kur unë jetën fillova;
Kështu dhe tani kur jam burrë;
Kështu do të ndodhë edhe në pleqëri,
Ose kur të vdes, patjetër!
Çdo vogëlush është babai i një njeriu tjetër;
Ndaj unë do të doja që ditët e mia nji nga nji,
ktë përkushtim të çiltër të kishin për kufi.
Një gjumë i ëmbël vulosi shpirtin tim
Një gjumë i ëmbël vulosi shpirtin tim;
Ai nuk e njeh më frikën njerëzore:
Ngjan me diçka që nuk e kupton dot ndjesin’
e prekjeve të viteve tokësore.
Nuk ka më as forcën për t’u zvarritur;
As nuk dëgjon e as nuk sheh;
Po me ritmin e tokës vazhdon duke u rrokullitur,
bashkë me shkëmbenj, gurë, pemë e gjethe.
Shqipëroi: Dritan Thomollari
Marrë nga revista “Akademia”, nr. 26



