Kufijtë e artit dhe propagandës

02 qershor 2026 | 08:07

GEORGE ORWELL

Unë po flas për kritikën letrare, dhe në botën në të cilën jetojmë, është gati po aq jopremtuese sa të flasësh për paqen. Kjo nuk është një epokë paqësore, dhe nuk lë hapësirë për kritikë. Në Evropën e dhjetë viteve të fundit, kritika letrare e llojit më të hershëm, kritika që tregon vërtet maturi, skrupu­lozitet, është e paanshme, dhe e sheh një vepër arti si diçka me vlerë në vetvete, ka qenë gati e pamundur.

Nëse i hedhim një vështrim letërsisë angleze të dhjetë viteve të fundit, jo aq letërsisë se sa tonit mbizotërues letrar, ajo që na bie në sy është se thuajse ka pushuar së qeni estetike. Letërsia është mbytur nga propaganda. Nuk dua të them që të gjithë librat e shkruar gjatë asaj periudhe kanë qenë të dobët. Por shkrimtarët tipikë të kohës si Auden-i, Spender-i dhe MacNeice, kanë qenë shkrimtarë didaktikë, politikë, të vetëdijshëm este­tikisht, natyrisht, por më shumë të interesuar për lëndën sesa për teknikën. Dhe kritika më e gjallë ka qenë gati e gjitha vepër e shkrimtarëve marksistë Christopher Caudwell, Philip Henderson dhe Edward Upward, të cilët e shikojnë çdo libër në të vërtetë si një pamflet politik dhe janë shumë më të interesuar për të hulumtuar dhe vënë në pah aspektet politike dhe sociale sesa në cilësitë e mirëfillta letrare.

Kjo është edhe më e habitshme, sepse bën një kontrast shumë të madh dhe të papritur me periudhën menjëherë para saj. Shkrimtarët karakteristikë të viteve 1920, T. S. Eliot, për shembull, Ezra Pound, Virginia Woolf, ishin shkrimtarë që theksuan teknikën letrare. Natyrisht, kishin bindjet dhe para­gjykimet e tyre, por ishin shumë më të interesuar për risitë teknike sesa për ndonjë nënkuptim moral, kuptimor apo politik që mund të përmbante vepra e tyre. Më i miri nga të gjithë, James Joyce, ishte shkrimtar teknik dhe gati vetëm i tillë, ishte kaq afër të qenit një artist “i kulluar” për aq sa mund të jetë një shkrimtar. Edhe D. H. Lawrence, megjithëse ishte më shumë një “shkrimtar me qëllim” se shumica e të tjerëve të kohës së tij, nuk kishte shumë nga ajo që ne tani duhet ta quanim ndërgjegje shoqërore. Dhe megjithëse i kam kufizuar shembujt në vitet 1920, e njëjta gjë ka qenë nga viti 1890. Gjatë gjithë kësaj periudhe, koncepti se forma është më e rëndësishme se lënda, ideja e “art për art”, ishte marrë si e mirëqenë. Kishte shkrimtarë që nuk pajtoheshin me këtë koncept, sigurisht, Bernard Shaw ishte një prej tyre, por ky ishte këndvështrimi mbizotërues. Kritiku më i rëndësishëm i periudhës, George Siansbury, ishte shumë i moshuar në vitet 1920, por ai pati një ndikim të fuqishëm deri rreth vitit 1930 dhe gjithmonë e kishte mbështetur me vendosmëri rëndësinë e teknikës në art. Ai pohonte se e lexonte dhe gjykonte një libër vetëm për aspektin teknik, mënyrën se si ishte shkruar, dhe ishte thuajse krejt indiferent ndaj opinioneve të autorit.

Tani, si mund të shpjegohet ky ndryshim kaq i papritur këndvështrimi? Rreth fundit të viteve 1920 merrje një libër si libri i Edith Sitwell-it për poetin Aleksandër Pope, me një theks krejtësisht të pavlerë te teknika, duke e parë letërsinë si një lloj qëndisjeje, gati sikur fjalët të mos kishin kuptim: dhe vetëm disa vjet më vonë merrje një kritik marksist si Edward Upward që pohon se librat mund të jenë “të mirë” vetëm kur kanë prirje marksiste. Në njëfarë kuptimi, si Edith Sitwell ashtu edhe Edward Upward ishin përfaqësues të kohës së tyre. Çështja është pse këndvështrimi i tyre duhet të jetë kaq i ndryshëm?

Mendoj se arsyeja duhet kërkuar në rrethana të jashtme. Si qëndrimi estetik, ashtu edhe ai politik ndaj letërsisë u krijuan, ose u kushtëzuan nga atmosfera sociale e një periudhe të caktuar. Dhe tani që ka përfunduar një periudhë tjetër – sepse sulmi i Hitlerit ndaj Polonisë në vitin 1939 i dha fund një epoke po aq të sigurt sa rënia e madhe e  vitit 1931 i dha fund një tjetre, tani mund ta bëjmë lidhjen dhe të shohim më qartë se sa ishte e mundur para disa vitesh që mënyra se si qasjet ndaj letrares ndikohen nga ngjarje jashtëletrare. Një gjë që habit këdo që hedh një vështrim pas gjatë njëqind viteve të fundit është se kritika letrare për të cilën ia vlen të shqetësohet dhe qasja kritike ndaj letërsisë, ishte shumë e rrallë në Angli midis viteve 1830 dhe 1890. Kjo nuk do të thotë se nuk u krijuan libra të mirë gjatë asaj periudhe. Disa nga shkrimtarët e asaj kohe, Dickens, Thackeray, Trollop dhe të tjerë, ndoshta do të mbahen mend më gjatë se të gjithë shkrimtarët paraardhës. Por nuk ka personalitet letrar në Anglinë Viktoriane që përkojnë me Floberin, Bodlerin, Gautier-in dhe shumë të tjerë. Ajo që tani na duket skrupulozitet estetik vështirë se ekzistonte atëherë. Për një shkrimtar anglez të epokës viktoriane, një libër ishte deri diku diçka që i sillte para dhe deri diku një mjet për predikimin e dogmave. Anglia po ndryshonte shumë shpejt, një klasë e re e pasur kishte dalë nga rrënojat e aristokracisë së vjetër, kontaktet me Evropën ishin shkëputur dhe një traditë e gjatë artistike ishte ndërprerë. Shkrimtarët anglezë të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë ishin barbarë, edhe kur rastësisht ishin artistë të talentuar, si Dickens-i.

Por në fund të shekullit, kontakti me Evropën u rivendos përmes Matthew Arnold-it, Oscar Wilde-it dhe shumë të tjerëve, dhe respekti për formën dhe teknikën në letërsi u rikthye. Që atëherë kemi konceptin e “artit për art” – një frazë shumë jashtë mode, por gjithsesi mendoj se më i miri që kemi. Dhe arsyeja pse nuk mund të lulëzonte shumë gjatë, dhe të merrej kaq shumë si i mirëqenë, ishte se e gjithë periudha midis viteve 1890 dhe 1930 ishte periudhë e rehatisë dhe sigurisë së jashtëzakonshme. Ishte ajo që mund ta quajmë muzgu i artë i epokës kapitaliste. Edhe Lufta e Madhe[1] nuk e trazoi. Lufta e Madhe vrau dhjetë milionë njerëz, por nuk e tronditi botën, siç e ka tronditur dhe do ta tronditë kjo luftë. Pothuajse çdo evropian midis viteve 1890 dhe 1930 jetonte me besimin e heshtur se qytetërimi do të zgjaste përgjithmonë. Mund të ishe individ me fat ose fatkeq, por brenda vetes kishe ndjesinë se asgjë nuk do të ndryshonte rrënjësisht kurrë. Dhe në atë lloj atmosfere është e mundur shkëputja intelektuale, por edhe diletantizmi. Është ajo ndjenjë e vazhdimësisë, e sigurisë, që mund t’i bëjë të mundur një kritiku si Saintsbury, një kon­servator i vërtetë, i vjetër dhe njeri fetar, të jetë i drejtë ndaj librave të shkruar nga njerëz, pikëpamjet politike dhe morale të të cilëve ai nuk i honepste.

Por që nga viti 1930 kjo ndjenjë sigurie nuk ka ekzistuar kurrë. Hitleri dhe rënia ekonomike e shkërmoqën pasi Lufta e Madhe dhe madje edhe Revolucioni Rus arritën ta zhduknin. Shkrimtarët që u shfaqën që nga viti 1930 kanë jetuar në një botë në të cilën jo vetëm jeta e dikujt, por e gjithë skema e vlerave është vazhdimisht e kërcënuar. Në rrethana të tilla të qenit i shkëputur nga realiteti është i pamundur. Nuk mund të shfaqësh një interes thjesht estetik për një sëmundje nga e cila po vdes. Nuk mund ta shmangësh qëndrimin emocional ndaj një njeriu që do të të presë fytin. Në një botë ku fashizmi dhe socializmi po luftonin ndaj njëri-tjetrit, çdo njeri që mendonte duhej të mbante anën dhe ndjenjat duhej të gjenin shprehje jo vetëm në shkrime, por edhe në gjykimet e tij për letërsinë. Letërsia ishte e detyruar të bëhej politike, sepse çdo gjë tjetër do të ishte pandershmëri intelektuale. Përkatësia ndaj ngjarjeve dhe urrejtja ndaj një armiku ishte kaq afër sipërfaqes së vetë­dijes sa s’mund të shpërfillej. Tema për të cilën shkruhej në libra dukej shumë më e rëndësishme se sa mënyra se si ishin shkruar e cila dukej gati krejt pa rëndësi.

Dhe kjo periudhë rreth dhjetëvjeçare në të cilën letërsia, madje edhe poezia, ishte e përzier me pamfletet, i bëri një shërbim të madh kritikës letrare, sepse zhduku iluzionin e estetizmit të kulluar. Ajo na kujtoi se propaganda në një formë apo tjetër fshihet në çdo libër, se çdo vepër arti ka një kuptim dhe një qëllim, një qëllim politik, social dhe fetar, se gjykimet tona estetike mbartin gjithmonë paragjykimet dhe besimet tona. Ajo hodhi poshtë artin për art. Por ajo hyri në një rrugë qorre, sepse bëri që shkrimtarë të rinj të panumërt të përpi­qeshin ta lidhnin mendjen me një disiplinë politike, e cila, pasi t’i bënte pjesë të saj, do ta bënte ndershmërinë intelektuale të pamundur. I vetmi sistem mendimi i hapur për ta në atë kohë ishte marksizmi zyrtar, i cili kërkonte një besnikëri nacionaliste ndaj Rusisë dhe e detyronte shkrimtarin që e quante veten marksist të përzihej në pandershmëritë e politikës së pushtetit.

Por edhe nëse kjo ishte e dëshirueshme, hamendësimet tek të cilat u mbështetën këta shkrimtarë u shkërmoqën papritur nga pakti ruso-gjerman. Ashtu si shumë shkrimtarë rreth vitit 1930 kishin zbuluar se në të vërtetë nuk mund të shkëputeshe plotësisht nga ngjarjet bashkëkohore, shumë shkrimtarë të tjerë po zbulonin rreth vitit 1939 se në të vërtetë nuk mund ta sakrifikosh integritetin tënd intelektual për hir të një përkatësie politike ose, të paktën, nuk mund ta bësh këtë dhe të mbetesh shkrimtar. Nuk mjafton vetëm aspekti estetik, por s’mjafton as vetëm të jesh politikisht korrekt. Ngjarjet e dhjetë viteve të fundit na kanë lënë pak a shumë pezull, e kanë lënë Anglinë për momentin pa ndonjë prirje letrare të dallueshme, por na kanë ndihmuar të përcaktojmë, më mirë sesa ishte e mundur më parë, kufijtë e artit dhe të propagandës.

Listener, 1941

Përktheu nga origjinali (anglishtja): Granit Zela.

Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.

Të drejtat e këtij përkthimi, “Armagedoni”.

[1] Lufta e Parë Botërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida…