KUJTIME LIBRARISH
George Orwell
Kur punoja në një librari me libra të përdorur – që, nëse nuk punon atje, mund të përfytyrohet kaq lehtë si një lloj parajse në të cilën xhentëlmenë të vjetër e tërheqës shfletojnë vëllime me kapakë lëkure – ajo që më bëri përshtypje në fillim ishte mungesa e njerëzve vërtet të dhënë pas librave. Libraria jonë kishte stok shumë interesant librash, megjithatë dyshoj nëse dhjetë për qind e klientëve tanë dinin ta dallonin një libër të mirë nga një i keq. Snobët e botimit të parë ishin shumë më të zakonshëm se të dashuruarit pas letërsisë, por studentët orientalë që bënin pazar për çmimin e librave të lirë, ishin edhe më të zakonshëm, ndërsa gratë e përhumbura që kërkonin dhurata ditëlindjesh për nipat ishin më të zakonshmet.
Shumica e atyre që vinin te ne ishin tipa që të acaronin kudo që shkonin, por libraria u jepte mundësi të arta. Për shembull, zonja e dashur plakë e cila “do një libër për një invalid” (kërkesë kjo, shumë e zakonshme) dhe zonja tjetër e dashur plakë që kishte lexuar një libër shumë të bukur në vitin 1897 dhe do të dijë a e gjen dot një kopje. Për fat të keq, titullin s’e mban mend, as emrin e autorit e as për çfarë bënte fjalë libri, dinte vetëm që kishte kapak të kuq. Përveç këtyre, ka edhe dy lloje personash famëkeq acarues që përndjekin çdo dyqan librash të përdorur. Njëri është tipi i mbaruar që vjen era bukë e ndenjur e që vjen çdo ditë, ndonjëherë disa herë në ditë, dhe përpiqet të të shesë libra pa vlerë. Tjetri është personi që porosit sasi të mëdha librash për të cilat nuk ka aspak ndërmend të paguajë. Në dyqanin tonë nuk shisnim asnjë gjë veresie, por i vinim mënjanë librat, ose i porosisnim, nëse ishte e nevojshme, për njerëzit që donin t’i merrnin më vonë. As gjysma e atyre që i porosisnin librat te ne nuk ktheheshin më. Në fillim kjo më habiste. Pse e bënin? Vinin e porosisnin ndonjë libër të rrallë e të shtrenjtë, na bënin t’u premtonim njëqind herë që do t’ua ruanim dhe pastaj zhdukeshin pa nam e nishan. Por shumica e tyre qartazi ishin paranojakë. Flisnin me madhështi për veten dhe tregonin historitë më gjeniale për të shpjeguar se si kishte rastisur të dilnin nga shtëpia pa para me vete – histori të cilat, në shumë raste, jam i sigurt që i besonin dhe vetë. Në një qytet si Londra ka gjithmonë shumë të çmendur jo tamam me kartelë që enden rrugëve e që priren të tërhiqen drejt librarive, sepse libraria është një nga vendet e pakta ku mund të rrish për një kohë të gjatë pa shpenzuar para. Në fund, këta njerëz arrin t’i njohësh gati me një të hedhur të syve. Pavarësisht prej fjalëve të mëdha, ka diçka tek ata që është e ronitur dhe pa bosht. Shumë shpesh, kur ishte e dukshme se kishim të bënim me një paranojak, ia linim mënjanë librat që kërkonte dhe më pas i vendosnim në rafte sapo largohej. Vija re se asnjë prej tyre nuk përpiqej të merrte libra pa i paguar; i mjaftonte vetëm t’i porosiste – kjo u jepte, ma do mendja, iluzionin se po shpenzonin para të vërteta.
Ashtu si shumica e librarive me libra të përdorur, kishim edhe artikuj të ndryshëm shtesë. Shisnim, për shembull, makina shkrimi të përdorura, dhe pulla – e kam fjalën për pulla të përdorura. Koleksionistët e pullave janë racë e çuditshme, e heshtur si peshqit, e të gjitha moshave, por vetëm e seksit mashkull; gratë, me sa duket, nuk arrijnë ta shohin hijeshinë e veçantë të futjes së copave të letrës me ngjyrë në albume. Shisnim edhe horoskopë gjashtë qindarkësh të shkruar nga dikush që mëtonte se kishte parashikuar tërmetin japonez. Ishin në zarfe të mbyllura dhe nuk i hapa kurrë, por njerëzit që i blinin shpesh ktheheshin dhe na tregonin se sa “të vërtetë” kishin qenë horoskopët e tyre. (Pa dyshim, çdo horoskop duket “i vërtetë” nëse thotë se jeni shumë tërheqës për seksin e kundërt dhe e meta juaj më e keqe është bujaria.)
Pazari na ecte mirë me librat për fëmijë, kryesisht “të mbeturit”. Librat e rinj për fëmijë janë disi të tmerrshëm, veçanërisht kur i sheh në masë. Personalisht, më lehtë do t’i jepja një fëmije një kopje të Petronius Arbiterit[1] sesa Piter Panin, por edhe Barrie duket burrëror dhe i plotë në krahasim me disa nga imituesit e tij të mëvonshëm. Në kohën e Krishtlindjes kalojmë dhjetë ditë të ethshme duke luftuar me kartolinat dhe kalendarët e Krishtlindjeve, të cilat janë të lodhshme për t’u shitur, por ecin goxha mirë për aq kohë sa zgjat sezoni. Dikur më interesonte ta shihja cinizmin brutal me të cilin shfrytëzohet ndjenja e Krishterimit. Produktet nga firmat e kartolinave të Krishtlindjeve vinin me katalogët e tyre që në qershor. Një prej frazave nga faturat e tyre më ka mbetur në kujtesë. Ishte: “2 duzina. Fëmija Jezus me lepujt”.
Por, biznesi ynë dytësor ishte ai i bibliotekës që jep libra me qira – biblioteka e zakonshme me pesë apo gjashtëqind vëllime “dy qindarka pa depozitë”, të gjitha romane. Sa shumë i duan hajdutët e librave ato librari! Është krimi më i lehtë në botë të marrësh një libër në një dyqan për dy qindarka, ta heqësh etiketën dhe ta shesësh në një dyqan tjetër për një shilingë. Gjithsesi, shitësit e librave në përgjithësi mendojnë se ia vlen më mirë të vidhet një numër i caktuar librash (kishte raste kur humbnim rreth një duzinë në muaj) sesa të trembësh klientët duke kërkuar një depozitë.
Dyqani ynë ndodhej pikërisht në kufirin midis Hampstead dhe Camden Town dhe na frekuentonin të gjithë tipat, nga baronetë deri te fatorinot. Ndoshta pajtimtarët tanë të bibliotekës ishin ndërthurje e drejtë e publikut lexues të Londrës. Prandaj, vlen të theksohet se nga të gjithë autorët në bibliotekën tonë, ai që “merrej” më shumë ishte Priestley? Hemingway? Walpole? Wodehouse? Jo, Ethel M. Dell, me Warwick Deeping të dytin dhe Jeffrey Farnol, duhet të them, të tretin. Romanet e Dellit, natyrisht, lexohen vetëm nga gra, por nga gra të të gjitha llojeve dhe moshave dhe jo, siç mund të pritej, vetëm nga lëneshat e trishta dhe gratë e majme të duhanshitësve. Nuk është e vërtetë që burrat nuk lexojnë romane, por është e vërtetë që ka lloje romanesh që ata i shmangin. Përafërsisht, ajo që dikush mund ta quajë roman mesatar – gjërat e zakonshme, të këqija-të mira, Gollsuorthi dhe gjërat detare, që janë normë për romanin anglez – duket se ekziston vetëm për gratë. Burrat lexojnë ose romanet që kanë autoritet, ose histori me detektivë. Por konsumi i historive me detektivë është i hatashëm. Një nga të abonuarit tanë, me sa di unë lexonte katër a pesë libra me detektivë çdo javë përgjatë një viti, përveç kësaj edhe libra që i merrte nga një bibliotekë tjetër. Ajo që më befasoi ishte se ai kurrë nuk e lexonte të njëjtin libër dy herë. Me sa duket e gjithë ajo rrjedhë e frikshme gjepurash (faqet e lexuara çdo vit, siç llogarita unë, mund të mbulonin gati tri të katërtat e një hektari) ruhej përgjithmonë në kujtesën e tij. Ai nuk i vinte re titujt apo emrat e autorëve, por mund ta dallonte thjesht duke i hedhur një vështrim librit nëse “tashmë e kishte lexuar”.
Biblioteka që jep libra me qira tregon shijet e vërteta të njerëzve, jo ato të shtiracaket, dhe ajo që të bën përshtypje është se sa krejtësisht jashtë loje kanë mbetur romancierët “klasikë” anglezë. Është thjesht e kotë të futësh Dickensin, Thackerayn, Jane Austenin, Trollopein etj., në bibliotekën e zakonshme me libra me qira; askush nuk i merr. Thjesht duke parë një roman të shekullit të nëntëmbëdhjetë, njerëzit thonë: “Oh, por ky është i vjetër!” dhe i largohen menjëherë. Megjithatë, është gjithmonë goxha e lehtë ta shesësh Dickensin, siç është gjithmonë e lehtë ta shesësh Shekspirin (Shakespeare). Dickensi është nga ata autorë që njerëzit “gjithmonë e kanë në plan ta lexojnë” dhe, sikurse edhe Bibla, ai njihet gjerësisht në dyqanet e librave të përdorur. Njerëzit e dinë nga sa kanë dëgjuar se Bill Sajks ishte hajdut dhe se zoti Mikober ishte tullac, si e dinë me të dëgjuar se Moisiu u gjet në një kanistër xunkthi dhe se pa “shpinën e Zotit”. Gjë tjetër që bie shumë në sy është mungesa e popullaritetit në rritje i librave amerikanë. Dhe një tjetër – botuesit bëjnë diskutime të zjarrta për këtë çdo dy ose tre vjet – është mungesa e popullaritetit të tregimeve. Lloji i personit që i kërkon bibliotekarit të zgjedhë një libër për të gati gjithmonë fillon duke thënë “Nuk dua histori të shkurtra”, ose “Nuk dua histori të vogla”, siç thoshte një klient yni gjerman. Nëse i pyet pse, ndonjëherë të shpjegojnë se është shumë siklet të mësohesh me një set të ri personazhesh me çdo tregim; atyre u pëlqen të “hyjnë” në një roman që nuk kërkon shumë mendim pas kapitullit të parë. Megjithatë, besoj se këtu më shumë fajin e kanë shkrimtarët sesa lexuesit. Shumica e historive të shkurtra moderne, angleze dhe amerikane, janë krejtësisht të pajetë dhe pa vlerë, shumë më tepër se shumica e romaneve. Tregimet e shkurtra të D. H. Lawrenceit janë po aq të njohura sa romanet e tij.
A do të doja të isha librashitës përgjithmonë? Në tërësi, pavarësisht nga dashamirësia e pronarit ndaj meje dhe disa ditëve të lumtura që kalova në librari, jo.
Nëse gjen një vend të mirë dhe sasinë e duhur të kapitalit, çdo person i arsimuar duhet të jetë në gjendje ta fitojë jetesën nga një librari. Nëse nuk i hyn biznesit për libra “të rrallë”, nuk është zanat i vështirë për t’u mësuar dhe keni përparësi goxha të madhe nëse dini pak për çfarë flet libri. (Shumica e librashitësve nuk dinë asgjë. Mund ta kuptosh këtë duke parë revistat e biznesit ku reklamojnë dëshirat e tyre. Nëse nuk shihni një reklamë për Zvetënimi dhe rënia e Boswellit me siguri do të shihni një për romanin Mulliri i lumit Floss i George Eliotit. Po kështu, është tregti e njerëzishme, e cila nuk mund të vulgarizohet përtej një pike të caktuar. Shtëpitë e mëdha nuk mund ta nxjerrin kurrë jashtë loje librashitësin e vogël të pavarur, siç e kanë nxjerrë shitësin e ushqimeve dhe atë të qumështit. Orët e punës janë tepër të gjata, unë punoja vetëm me kohë të pjesshme, por punëdhënësi më futi javë shtatëdhjetë orëshe, përveç ekspeditave të vazhdueshme jashtë orarit për të blerë libra dhe kjo është jetë e pashëndetshme. Zakonisht, libraria është shumë e ftohtë në dimër, sepse nëse është shumë ngrohtë, dritaret mjegullohen dhe një librashitës jeton prej dritareve. Dhe librat nxjerrin më shumë pluhur që është më i keqi se i çdo kategorie tjetër objektesh të shpikura deri më sot, dhe pjesa e sipërme e një libri është vendi ku çdo mizë jeshile parapëlqen të ngordhë.
Por arsyeja e vërtetë pse s’do të më pëlqente të mbetesha në tregtinë e librit për gjithë jetën është se, kur isha pjesë e saj, humba dashurinë për librat. Një librashitës duhet të thotë gënjeshtra për librat dhe kjo gjë ia zvjerdh ata; edhe më keq është fakti që ai vazhdimisht i shpluhuros dhe i tërheq sa andej-këndej. Një herë e një kohë i doja vërtet librat – më pëlqente pamja, aroma dhe ndjesia e tyre, dua të them, të paktën nëse ishin pesëdhjetë ose më shumëvjeçarë. Asgjë s’më kënaqte më shumë sesa të blija shumë libra për një shilingë në një ankand. Seç të ngjallin një ndjesi të veçantë librat e keqpërdorur që i gjen në atë lloj koleksioni: poetë të vegjël të shekullit të tetëmbëdhjetë, gazetarë të vjetruar, vëllime të çuditshme romanesh të harruara, numra të lidhur të revistave për gra të viteve gjashtëdhjetë. Për lexim të rastësishëm – në banjën tënde, për shembull, ose vonë natën kur je tepër i lodhur për të shkuar në shtrat, ose një çerek ore para drekës – nuk ka gjë më të mirë se botimet e vjetra të Letrat e vet vajzës[2]. Por sapo nisa të punoja në librari, reshta së bleri libra. Kur i shihja në masë, pesë ose dhjetë mijë në të njëjtën kohë, librat m’u bënë të mërzitshëm, madje pak të neveritshëm. Tani i blej herë pas here, por vetëm nëse është një libër që dua ta lexoj, nuk mund ta marr borxh dhe nuk blej kurrë libra pa vlerë. Era e ëmbël e letrës së vjetruar nuk më tërheq më. Është kaq e lidhur në mendjen time me klientët paranojakë dhe mizat jeshile të ngordhura.
Fortnightly, 1936
Përktheu nga origjinali (anglishtja): Granit Zela.
Të drejtat e këtij përkthimi, “Armagedoni”.
[1] Gaius Petronius Arbiter, autor i njohur i veprës “Satirikoni” portreti letrar i shoqërisë romake të shekullit 1 pas Krishtit.
[2] Gazetë britanike me tregime për vajzat dhe gratë e reja, e botuar nga viti 1880 deri më 1956.



