TIRSA

03 qershor 2026 | 08:41

Charles Baudelaire

TIRSA[1]

Për Franc Listin[2]

Çfarë është tirsa?

Nga ana morale dhe poetike, është një emblemë fetare në duart e priftërinjve ose priftëreshave shërbëtore dhe zëdhënës të hyjnisë, së cilës i thurin lavde. Por nga ana fizike, nuk është gjë tjetër veçse një shkop, një shkop i vërtetë, purtekë për ta mbajtur kurpën, mbështetëse për hardhinë, i thatë, i fortë dhe i drejtë. Rreth këtij shkopi, duke u përdredhur në mënyrë tekanjoze, luajnë dhe hidhen sa andej-këndej degë dhe lule. Disa prej tyre përdridhen dhe largohen, disa të tjera varen si këmbora apo si gota të kthyera mbrapsht. Dhe një bukuri e çudit­shme buron nga kjo shumëllojshmëri vijash dhe ngjyrash, të lehta apo të ndezura. A nuk ju duket se vija e lakuar dhe spirale i bëjnë qefin vijës së drejtë dhe vallëzojnë rreth saj duke e adhuruar në heshtje? A nuk ju duket se të gjitha këto kurora dhe kupa lulesh të brishta, këto shpërthime aromash dhe ngjyrash, luajnë një fandango[3] mistike rreth shkopit të shenjtë?

Kush është ai vdektar i pakujdesshëm që do të guxojë të thotë nëse lulet dhe degët e hardhisë i janë përshtatur shkopit, apo shkopi nuk është gjë tjetër veçse një pretekst për të treguar bukurinë e luleve dhe degëve të hardhisë?

Tirsa është mishërimi i dyanshmërisë tuaj të habitshme, o mjeshtër i madh dhe i përgjëruar, bakant[4] i dashur i bukurisë misterioze dhe të zjarrtë. Asnjë nga nimfat e nevrikosura nga Bakusi i pamposhtur nuk e ka tundur ndonjëherë tirsën mbi kokat e shoqeve të saj të shastisura me po aq energji dhe naze sa përkundni ju gjeninë mbi zemrat e vëllezërve tuaj[5].

Shkopi, është vullneti juaj, i drejtë, i vendosur dhe i palë­kundshëm. Lulet janë shëtitja e fantazisë rreth vullnetit, janë elementi femëror që luan rreth mashkullit piruetat e saj magjepsëse. Vija e drejtë dhe e lakuar, dëshira dhe realizimi, papërkulshmëria e vullnetit dhe rrjedhshmëria e fjalës, qëllimi i vetëm dhe shumëllojshmëria e mjeteve formojnë tek ju, amalgamën e plotfuqishme dhe të pandashme të gjeniut. Cili kritik do të marrë guximin e urryer që t’i veçojë dhe t’i ndajë?

I dashur List, përmes mjegullave, përtej lumenjve, përmbi qytetet ku pianot këndojnë për lavdinë tuaj dhe ku shtyp­shkronjat vënë në dukje urtësinë tuaj, kudo që të jeni, në shkëlqimet e qytetit të përjetshëm[6] apo në mjegullat e vendeve ëndërrues që ngushëllon Kambrinusi[7], duke improvizuar këngë të këndshme apo këngë për dhembje të papërshkrueshme, duke i besuar letrës men­dimet tuaja të ndërlikuara, këngëtar i Ëndjes dhe i Ankthit të përjetshëm, filozof, poet dhe artist, ju për­shëndes me pavdekësinë!

 

[1] Nga latinishtja thyrsus që është shndërruar nga greqishtja thursos. Shkop apo shtizë që rrethohet nga gjethe hardhie dhe ka në majë një boçe pishe. Në mitologjinë greke ajo është simbol i perëndisë së verës Dionisit (Dionusos) e në mitologjinë romake simbol i Bakusit.

[2] Franz (Ferencz) Liszt (1811-1886). Kompozitor romantik hungarez, të cilin autori e ka njohur personalisht.

[3] Nga spanjishtja fandango. Valle popullore spanjolle që kërcehet duke e mbajtur ritmin me takat e këpucëve.

[4] Nga latinishtja bacchantis. Nimfa të cilat shoqëronin gjithandej Bakusin.

[5] Sipas mitologjisë bakantet (nimfat që shoqëronin Bakusin) apo mainadet (nimfat që shoqëronin Dionisin) ishin të lajthitura dhe tundnin mbi kokat e njëra-tjetrës tirsat e tyre.

[6] Epitet i Romës.

[7] Cambrinus apo Gambrinus. Personazh legjendar i krijuar në veriun e Francës dhe i mbiquajtur mbreti i birës.

Përktheu nga origjinali (frëngjishtja): Roland Çipa.

Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.

© “Armagedoni”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iliaz Bobaj Vjollca la biçikletën pa pikë kujdesi në oborrin…