RRAHJA
Iliaz Bobaj
Vjollca la biçikletën pa pikë kujdesi në oborrin e shtëpisë dhe hyri brenda. Te shkallët u gjend ballë për ballë me kunatën e saj, Enkelejdën. Kjo e fundit ia nguli sytë dhe po e këqyrte me habi.
– Vjollca, ç’ke, pse je kështu? – e pyeti.
– Si jam?
– Se si më dukesh, sikur je rrëzuar nga biçikleta. Je e shpërqëndruar, e tensionuar. Edhe flokët i ke të shprishur, sikur i ke përzhitur në kashtë.
– Eja lart, se po ta rrëfej se ç’më ka ngjarë! – i tha Vjollca dhe nuk i mbajti këmbët.
Enkelejda la në koridor diçka që kishte në dorë dhe këmbë- këmbë e ndoqi pas, pa ia ndarë atë vështrimin e habitur. Hyri në dhomën e saj, por nuk u ngut ta pyeste përsëri. Vetëm sytë nuk ia ndante për asnjë çast.
– Ç’më vështron sikur kam ardhur nga jashtëtokësorët? – i tërhoqi vëmendjen Vjollca. – Tani ulu këtu dhe më dëgjo me kujdes! Po ta rrëfej fill e për pe! Mori frymë thellë dhe filloi.
– Ndërsa po kaloja me biçikletë përpara godinës së gjykatës, vura re se përballë meje vinte ajo.
– Cila ajo? – e pyeti kunata, pasi priti disa çaste t’i vinte emrin.
– Oh, ti e dashke me pikë e me presje! Ajo, pra, mikesha e tim shoqi! Violeta, Violeta e quajnë. Ia ngula sytë si bisha presë së vet. Kisha kohë që e prisja atë çast. M’u veshën sytë, më hipi gjaku në majë të kokës. Flokët m’u ngritën përpjetë si gjembat e iriqit kur i del përpara nepërka. Ndalova në çast, hodha biçikletën diku në anë të rrugës dhe i ndala këmbët para saj.
– Ti je ajo mikesha e tim shoqi? – e pyeta.
Ajo më pa me një vështrim të trembur, të hutuar. Fytyra iu bë dyllë e verdhë. Nuk arriti të lidhte as dy fjalë për të më kthyer përgjigje. Domosdo, se nuk i lashë kohë që ta mblidhte veten.
– Dashke të më hiqesh edhe më e shenjtë se Shën Mëria! – i thashë, i dhashë një të pështyrë të mirë drejt e në fytyrë e fill pas saj edhe një pëllëmbë me gjithëfuqinë e krahut, aq sa më dhembi dora. Në faqe i mbeti forma e hartës së pesë gishtave të mi. Pa humbur asnjë grimë kohë, ia ngula duart mbi flokë dhe ia shtrëngova gishtat si thonjtë e maces pas lëkurës së miut. E kishte humbur toruan dhe qe bërë si ajo pula e shushatur në kthetrat e skifterit.
– Hë, de, fol! – i shfryva, – ç’më rri si mumje! Ti je ajo që nuk të mjafton burri yt dhe je lëshuar si ato pelat hergjele nëpër hamshorët e botës?
I dhashë një shqelm me majë të këpucës, ja, mu këtu, në fund të barkut, aq të fortë, sa nxori një rënkim të mbytur, si një gjëmim të largët deti. Vuri të dy duart aty ku e godita, u përkul përpara dhe u palos më dysh. Ndërkohë i bëra një rrotullim të fuqishëm me dorën e djathtë. U shemb përtokë si një thes i rëndë. Kërceva mbi të me të dyja këmbët. Ç’them edhe unë! Me këmbë e me duar.
– Ja, të tillë dru doni ju të tillat! Të tillë, që t’ju lëshojnë sytë xixa dhe t’ju duket prifti dhespot! Doni ne gratë ju, që të vini mend, se burrat ju përkëdhelin dhe ju lajkosin! Pa hë, të të shkojë mendja të shkosh përsëri me burrin tim!
Në atë çast vura re se rreth e rrotull nesh ishte formuar një rreth me njerëz. Ndërhynë dy gra të na ndanin. Po ku jepesha unë! Më nxorën njërën dorë nga flokët e saj. Në gishta më kish mbetur një tufëz flokësh. Ishin dyllë të verdhë, si kashta e grurit kur e pjek dielli.
– Me këto flokë i gënjen burrat e botës, moj e përdalë? Domosdo, i kreh dhe i rregullon bukur, iu hedh edhe aromë, që t’ua marrësh mendjen e kokës! Do të t’i jap të tëra në dorë, që të të mbetet koka si ajo dardha e qëruar! Nga njëra anë i bija, nga ana tjetër i shfryja:
– Nuk thonë kot, një lopë e ndezur, tërbon gjithë demat e fshatit!
Ç’të të them, moj motër! Hëngri aq dru sa ha daullja në dasmë.
Më në fund na ndanë. E ngritën edhe atë nga toka. Ishte katandisur si ajo delja që ia rrëmbejnë ujkut nga thonjtë. Mezi merrte frymë. Flokët i dukeshin si një tufë gjembash të thatë. Bluza i ishte grisur, fundi i ishte shqyer deri mbi mesin e kofshës. Nga hunda i rridhte gjak. Çanta i kish rënë përtokë, me gjithë ç’kishte në të, ca xhingla-mingla, të cilat i qenë shpërndarë në asfalt. Dikush ia mblodhi, ia futi në çantë dhe ia dha në dorë.
Ndërkaq mbërriti policia. Atëherë gjithçka kish marrë fund. U lashë pendët, rrëmbeva biçikletën, e shalova dhe e lashë vrapin në shtëpi. Me siguri do të më thërrasin. Po nuk ma bën syri tërr. Në fund të fundit ndëshkova atë që më prish familjen time. Nuk jam penduar për asgjë. Do ta diskreditoj deri në fund!
Kunata, Enkelejda, diçka deshi t’i thoshte, po nuk arriti, se dikush trokiti fuqishëm në portë.
– Ja, erdhën. Zuri në gojë qenin dhe bëri gati shkopin! Shko ju thuaj që nuk jam këtu!
Enkelejda tundi kokën dhe u nis drejt portës.
Pas pak u kthye vetë i dyti. Ishte motra e Vjollcës, Adriana. Dukej sheshit që ishte tepër e shqetësuar.
– Ç’ke bërë, moj ditëzezë? – iu lëshua së motrës.
– Atë që bëjnë gratë e zonja ndaj atyre që iu rrëmbejnë burrat! – ia ktheu me të njëjtin ton.
– Po të ishe kaq e zonja, do t’ia kishe mbledhur burrit tënd dhe nuk do të bëheshe gazi i botës në sy të njerëzve!
– Ajo është puna ime! Ti shiko atë dordolecin tënd që është bërë si fuçi djathi!
– Lëri këto broçkulla dhe dëgjo këtu! Gruaja që ke rrahur nuk ka asnjë lidhje me burrin tënd!
– Nga cila agjenci i ke marrë këto lajme?
– Nga ajo që nuk i merr dot ti! Nuk më thua, kush të tha se ajo ka lidhje me tët shoq?
– Maria, ajo shoqja ime e punës.
– O zot, sa e pamend që je, moj motra ime!
Ti nuk ke rrahur mikeshën e tët shoqi, por mikeshën e burrit të Maries.
– E pamundur!
– Për fat të keq është pikërisht kështu. Unë e njoh atë shumë mirë. Quhet Violeta. Banon në pallatin tim. Kurse Maria banon dy pallate më tej. Edhe atë e njoh. Lidhjen e tyre e di e gjithë lagjja. Burri i Maries hyn e del në shtëpinë e Violetës si në shtëpinë e vet. E kupton tani se ç’marrëzi ke bërë, apo jo? Je bërë lodër në duart e të tjerëve. Vetë Maria, me gojën e saj, më ka thënë disa herë: “Ah, që nuk gjej dot një njeri, të ma bëjë të vdekur këtë kuçkë!”.
E meqë nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë, gjeti ty që merr flakë si kashtë e thatë dhe të përdori si vegël për të marrë hakun e vet. Prandaj lëri ato mburrkat e kota dhe mblidh mendjen e kokës, se të ka lënë me shëndet! Mjerë ti për mendjen tënde dhe mjerë unë për motrën time, thuaj!
Me të mbaruar këto fjalë, u ngrit, rrëmbeu çantën dhe u largua nxitimthi pa e përshëndetur.
Vjollca e ndoqi të motrën me një vështrim të nervozuar. Nuk kishte pikë dyshimi që ishte ashtu siç thoshte ajo. Ia njihte mirë karakterin. Ajo nuk gabonte në gjëra të tilla.
E shoqëroi me sy dhe, kur u zhduk pas portës, tha me vete:
– Tani e ka radhën Maria…!
Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.
© “Armagedoni”.



