Poezi nga Samuel Taylor Coleridge
Samuel Taylor Coleridge
Kubla Khan
Në Xanadu ngriti Kubla Khani
një madhështor shtëpi – pallat lart përpjetë:
Aty ku rridhte i shenjti lumë, Alfi,
nëpër shpellat e pamatura nga njeri përposh zymtiplotit det.
Dhjetë mijë miljeve të një toke pjellore
me mure e kulla iu ndërtua një rrethore:
e kish dhe kopshte vezullonjës me prroska gjarpërore
ku lulëzonin aq shumë pemë të mëdha temjani,
e kish dhe pyje të moçëm e kodra në trajtë kurore
që përqafonin skërkat plot diell të mbytura nga blerimi.
Por ah! Ajo e ngritura humnerë e thellë romantike
seç ia shqyente së blertës kodër vellon e çedrit me lëngim!
Troje të egra! Aq të shenjta e aq magjike
e aq shumë t’pëlqyera nën hënën e ngrënë prej një vajze
që për demonin e dashurisë së saj do të ofshajë me gjëmim!
E prej k’saj humnere, në t’parreshturin trazim të vluar,
sikur toka n’gulçime të forta e të shpejta t’ish duke frymuar,
Një shatërvan madhështor përnjëherë shpërtheu gjithë fuqi:
E në mes pëlcitjeve sa të shuara e sa me furi
blloqe të tërë viganë u vërvitën tej si kokrra breshëri,
apo si kokrra byku përposh rrotës së një shirrësi drithi:
E për një grimë, n’mes atyre gurëve që kërcisnin gjithë zallahi
Nisi të rridhte i shenjti lumë për të vazhduar gjer në përjetësi.
E për plot pesë milje i endur në një rrjedhje të qetë
I shenjti lumë përmes kodrave e luginave kaloi,
gjer kur arriti në shpellat e pamatura nga njeri,
e gjithë zallahinë e derdhi në detin ende të pajetë.
E ish mes k’saj zallahie kur Kubla Khan dëgjoi
të parathonin luftë zërat e stërgjyshërve të tij!
Hija e shtëpisë madhështore
notonte në mes të valëve
kur e përzier dëgjohej prore
jehon’ e lumit dhe e shpellave
E ish një mrekulli e rrallë që në përjetësi,
ai pallat madhështor gjithë diell e me shpella akulli!
Kur unë befas pashë në një vegim,
një vashë me një qestë në dorë:
E ish një vashë abisinase
që me qestën e vet po luante
një këngë për malin Aborë.
Oh atë këngën e saj, atë sinfoninë,
brenda meje sikur ta ringjallja dot
me aq rrezëllim do ta përmbytja gjakun tim,
aq sa me at’ muzikë të largët e fuqiplotë,
tërë atë kështjellë unë n’ajër kisha për ta ngritur,
atë kështjellë plot diell! E me gjithë ato shpella akulli!
E gjithë ata që do e dëgjonin do shihnin aty fuqinë e një misteri,
e të gjithë bashkë do ulërinin, Ruhuni! Ruhuni!
Flokët e tij po valëviten, sytë e tij janë duke shkrepëtitur!
Po pasi tri herë qark rreth tij do t’jenë vërtitur,
do t’u mbyllen sytë në të shenjtën ndroje rënë,
se ai mana e ambrozë ka ngrënë,
e qumështin e parajsës ka gëlltitur.
Brymë në mesnatë
Bryma po kryen atë ritmin e saj sekret
pa marrë ndihmë nga era. Britma e kukuvajkës
vjen e fortë – e ja, tek ndihet, ende! Edhe m’e fortë
se më parë. Bujtësit e shtëpisë sime, të gjithë pushojnë.
duke më lënë n’atë vetmi, që aq shumë për mbarë
i shkojnë ato të pakuptueshmet ëndërrime:
Shpëton ndanë meje
veç vogëlushi që, gjihë paqë dremit në djep.
Është qetësi vërtet!Aq qetësi sa t’i shqetëson e t’i trazon
mendimet me atë të çuditshmen heshtje të skajshme.
Deti, kodra e pylli, k’ta fshatra të populluar!
Deti, e kodra, e pylli, me tërë ato zhurmërimat e pafundme
të aq e aq jetëve, të pandjeshme janë, si ëndrrat!
Shkëndijëza e hollë blu veç ravijëzohet mbi zjarrin dritëmekur,
e s’dridhërohet dot. Veç ajo fletë që valëvitet tek hekurat e dritares
ndihet të valëvitet dhe k’tu brenda, si e vetmja gjë e paqetë.
Më duket se ajo lëvizje në gjithë k’të heshtje të natyrës
i jep asaj atë të zymtën simpati për mua që rroj,
e bën një formë të shoqërueshme,
e ato trillet dërdëllitse e lojrat e fjalëve të plogëtin shpirt
n’at mënyrën e vet e interpretojnë, kudo ku një
pasqyrë a një jehonë për vetveten ai kërkon,
duke i sajuar kështu një kukull të mendimit.
Por ah! Sa shpesh, sa shpesh, në shkollë, me mendjen
të mbushur top, me të thellën parandjenjë, kundroja ngultas përmes hekurave
se mos shihja atë të panjohurin në të valëvitur!
E sa shpesh,
qepallë pa mbyllur, nisja t’ëndërroja vendin tim
të ëmbël të lindjes, atë kullën e vjetër të kishës,
këmbanat e së cilës, e të mjerit njeri e vetmja muzikë,
kumbonin prej agimit gjer në muzg, e përgjatë gjithë ditës
së nxehtë, aq ëmbëlsisht, duke bërë që ato të vinin
e të faniteshin para meje me një kënaqësi mizore, e të ndiheshin
në veshët e mi si ata tingujt e kuptueshëm të atyre gjërave
që do të vijnë! Ja kështu unë rrija e kundroja gjer kur ato t’ëmblat
gjëra t’ëndërruara t’më nanurisnin për në gjumë,
e k’shtu gjumi t’ma zgjaste ëndërrimin!
E po të njëjtat ëndrra
bluaja në mëndje dhe mëngjesin tjetër, e të tmerruar prej fytyrës
së egër të mësonjësit sytë e mi nguliteshin me një shikim
qesëndisës mbi librat marramendës: mjaftonte që dera
të qe e hapur përgjysëm, e unë vjedhurazi hidhja një shikim të shpejtë,
e zemra ime brofte përpjetë, që me aq shpresë të
shihte fytyrën e atij të panjohuri, të një bashkëqytetari tim,
a të një tezeje, a të një motre shumë të dashur,
apo të shokut tim të lojës, aherë kur visheshim njësoj.
Oh, i dashuri vogëlush, që ndanë meje fle në djep,
e që me atë frymim të butë ndjerë qetësisë së thellë,
plot e përplot m’i mbush ato pushimet e shkujdesura
e ato rreshtjet momentale të mendimit!
O vogëlushi im kaq i bukur! Më dridhërohet zemra
me më t’ëmblën hare, sapo të kundroj,
e se ti duhet të mësohesh me të tjera dije, në të tjera troje,
aq të ndryshme nga tonat, menjëherë nis e mendoj!
Se unë veten e rrita qyteteve të mëdhenj, ndrydhur
prej mugëtisë, pa parë asgjë më t’këndshme se yjet në qiell.
Po ti vogëlushi im, ti duhet t’endesh si një puhizë
mbi liqej e nëpër brigje detesh, përposh shkrepeve
të maleve, shkrepeve të moçëm, e përposh reve,
që shëmbëllejnë me stërmadhësinë e tyre gjithë liqejtë,
malet e detet të marra tok: Ja, veç kështu ti do të shohësh
Troje të mrekullueshme e do dëgjosh ata tingujt aq të kuptueshëm
t’asaj gjuhe të përjetshme, që Zoti yt atje lart shqipton,
e që prej përjetësisë vetveten përfshin në gjithçka, e të gjitha gjërat brenda tij.
Mësonjësi i madh i përbotshëm! Ai do ta brumosë
shpirtin tënd, e do të të mësojë duke ta dhënë përsëri.
Ndaj të gjitha stinët që aherë për ty do t’jenë të ëmbla,
qoftë kur vera do ta veshë tokën mbarë me blerim,
apo dhe kur gushkuqi do ulet e do këndojë
mes pirgjeve të dëborës në degët e zhveshura
të trungut plot myshk të mollës, ndërsa aty pranë kashta
do nisë të tymojë tharë prej diellit, qoftë edhe kur
pikat e rëna strehës së çatisë do dëgjohen veç në dalldinë
e shkulmeve të erës, apo dhe kur riti sekret i brymës
do t’i ketë varur ato në hellet e heshtur t’akullit,
ashtu qetësisht e të shndritur hënës së qetë.
Shqipëroi: Dritan Thomollari
Epitaf
Ndalu, o njeri i mirë, këtu ku rritet bari,
Dhe lexo me vëmendje. Poshtë këtij varri
Dergjet një poet, ose kështu e quanin dikur…
Thuaj një lutje për të që s’kthehet më kurrë…
Për shumë vite, ai gjeti, në punë e përpjekje,
Vdekjen në jetë; këtu le të gjejë jetën në vdekje:
Mëshirë për lëvdatat dhe famën që shpresoi
Dhe Krishtit ia kërkoi. Të njëjtën gjë edhe ty ta uroj.
Shqipëroi: Rudi Bobrati
Marrë nga numri 26 i revistës “Akademia”.



