Guvernatori Ismaili takon anëtarin e Bordit Ekzekutiv të FMN-së: Sektori financiar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, priti në takim Yigit Yaşar, drejtor ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në takim mori pjesë edhe Hajdar Korbi, këshilltar i Republikës së Kosovës në Drejtorinë Ekzekutive të Konstituencës së FMN-së ku bën pjesë Kosova.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili e informoi Yaşar për zhvillimet kryesore në sektorin financiar dhe prioritetet strategjike të BQK-së, me fokus në ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës rregullative dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.
Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar në Kosovë mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, u diskutua rëndësia e zbatimit të Planit Strategjik 2024-2028 të BQK-së, si kornizë orientuese për reformat institucionale, modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe zhvillimin e tregjeve financiare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, përfshirë asistencën teknike dhe dialogun e vazhdueshëm në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.
Në përmbyllje, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Republikës së Kosovës dhe Bankës Qendrore, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e agjendës së reformave.
Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar.
Vizita e Yaşarit në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë që mbahet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e cila mbledh përfaqësues të lartë të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe prioritetet strategjike të sektorit financiar.



