Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një konferencë për medie në Prishtinë, ka folur për vizitën e tij dhe mesazhet drejtuar liderëve politikë në Kosovë.
Ai ka thënë se BE-ja beson fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian (BE), por se “nuk mund t’ia kryejnë detyrat e shtëpisë Kosovës”.
Costa ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës që nga viti 1999, duke theksuar investimet e vazhdueshme në sektorë të ndryshëm.
“Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka qenë partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare. Deri më sot, ne kemi investuar 3.7 miliardë euro në edukim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe në sundimin e ligjit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në kohë të pasigurisë gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmërisë ekonomike, zgjerimi nuk është thjesht një mundësi. Ai është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën, një investim në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë. Si e tillë, unë e përgëzoj Kosovën për rreshtimin e saj të plotë dhe vullnetar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian. Kjo është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të Kosovës”, ka thënë Costa.
Duke folur në kontekstin e zgjedhjeve që po afrohen në Kosovë, Costa ka thënë se u ka përcjellë liderëve politikë mesazhin për përgjegjësi dhe bashkëpunim.
“Teksa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë vikend, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund ta bëjë detyrën e shtëpisë së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të jetësuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Prandaj, në takimet e mia të sotme, i kam inkurajuar të gjithë aktorët politikë që ta bëjnë integrimin evropian prioritet, mbi ndasitë politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”, ka thënë Costa.



