Gucati kërcënohet me pushkatim në 27 vjetorin e plagosjes së tij në Malet e Berishës
Hysni Gucati, Kryetar i OVL-së ka raportuar se është kërcënuar virtualisht nga një person me emrin Eqrem Abdullahu, me pushkatim. Ai tha se ky kërcënim i erdhi sot, pikërisht në 27 vjetorin e plagosjes së tij nga ushtria e Millosheviqit, në Malet e Berishës.
Nacionale mëson se ky rast po hetohet për veprën penale, “kanosje”.
E plotë:
Përballë gjuhës së ulët që qarkullon në rrjete sociale, heshtja nuk është opsion, jo sepse ato fjalë peshojnë, por sepse opinioni publik duhet të shohë dallimin mes atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe atyre që guximin e vetëm e kanë pas një ekrani.
Një komentues i quajtur Eqerem Avdullahu paska shkruar me një gjuhë linçuese, duke kërkuar “pushkatimin” tim.
Sot, pikërisht më 3 qershor, mbushen plot 27 vite nga dita kur jam plagosur rëndë në Malet e Berishës, duke luftuar ballë për ballë me armikun për lirinë e Kosovës. Shenjat në trupin tim janë dëshmitare të asaj kohe kur vendosej fati i atdheut, ashtu siç ishte edhe përballja ime me dinjitet në Hagë për të mbrojtur pastërtinë e Luftës Çlirimtare.
Është e lehtë të kërkosh “pushkatime” virtuale sot në liri, një liri që u pagua me gjak e sakrifica. Unë mbetem ai që kam qenë gjithmonë, me ballin lart, i palëkundur dhe krenar për rrugën që kemi kaluar.



