Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, kanë vizituar mbrëmjen e sotme tre të rinjtë që i mbijetuan tragjedisë në Shëngjin.
Sipas tyre, gjendja shëndetësore e të rinjve është stabilizuar dhe ata po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Gjendja e tyre është e mirë, për shkak edhe të kujdesit të jashtëzakonshëm të personelit dhe autoriteteve të bashkisë Lezhë. Ngjarje tronditëse, lajmi, mosha e tyre… Por ne jemi këtu për të parë gjithçka mund të bëjmë për tre të rinjtë,” u shpreh ambasadori Skënder Durmishi.
Ai shtoi se institucionet janë duke punuar për të kontaktuar familjarët e viktimave.
“Do bëjmë gjithçka është e mundur për të informuar familjarët e dy të rinjve, që për fat të keq nuk mbijetuan dot. Të tjerët janë në gjendje të mirë, sapo i takuam, biseduam me ta. Familjarët e tyre janë nisur, po vijnë…”, deklaroi ai.
Mbytja e dy të rinjve nga Kosova mbetet një nga tragjeditë më të rënda të raportuara së fundmi në zonën e Shëngjinit.



