Pranvera
Ludwig Tieck
Pranvera
Pranvera s’harron të vijë përsëri,
Kur lejlekët dhe dallëndyshet zbresin mbi livadh duke fluturuar,
Dimrit pushtetin ende s’ia ka marrë njeri,
Tani zgjohet e qesh fëmija i praruar.
Pastaj lodrat e veta t’i mbledhë kërkon,
Që dimri plak ia ka prishur e shpërndarë,
Pyllin me flakë të blertë pastron,
Bilbilit i mëson këngën e parë.
Me dorë të trëndafiltë pemët ledhaton,
Ngjitet pastaj përmbi degët e kajsisë,
Me lule para gjetheve si me dëborë i mbulon
Dhe kokën tund prej kënaqësisë.
Pastaj futet në pyll e fle përdhe,
Frymën e tij të ëmbël duke shpërndarë,
Rreth gojës së vet të kuqe e të brishtë, atje,
Vjollca dhe luleshtrydhe shpërthejnë përmbi bar.
Sa kuq e blu qesh përsëri
Lugina, kur zgjohet ai!
Në çdo kopsht të rrethuar që sheh
Përsipër hekurave ai kalon,
Të rrijë t’i hapë me çelës s’ka nge,
Se s’ka mur të lartë që e pengon.
Dëborën nga rrugët pastron me shpejtësi
Dhe degët e aheve i krasit.
As natën nuk çlodhet e nuk fle ai,
Gërmon e punon kur hëna ndrit.
Pastaj thërret: “Shokët e lodrave ku janë,
Që kaq gjatë në tokë ndenjën mbuluar?
Të gjithë i ftova të vinin këtu pranë
Dhe kohën ta kalonim së bashku, të gëzuar.”
Zambaku gishtërinjtë e bardhë zgjat, ndërsa
Del tulipani e rri me kryet plot stoli,
Afrohet trëndafili me thjeshtësi
Dhe gjith lulet e tjera, të vogla e të mëdha.
Qilimi ngjyrëshumë tashmë ka mbaruar,
Nga gjethe jasemini del dashuria,
Njerëzit falënderojnë, këndojnë zogjtë me mija,
Të gjithë ndihen të lumturuar.
Shqipëroi: Petraq Kolevica
Marrë nga revista “Akademia”, nr. 26



