Përtej Zvërnecit: Ndryshim i elitës politike

08 qershor 2026 | 09:01

Alma Lama

Ditët e fundit i kam kushtuar një pjesë të konsiderueshme të kohës sime ngjarjeve që po ndodhin në Shqipëri, të cilat kanë pushtuar edhe mediat ndërkombëtare dhe kanë vërshuar rrjetet sociale në mbarë botën. Kjo jehonë globale është e kuptueshme, sepse bëhet fjalë për përfshirjen në projektin e investimit të vajzës së presidentit Trump dhe dhëndrit të tij, të cilët akuzohen se po përdorin fuqinë dhe diplomacinë e shtetit të tyre për pasurimin e anëtarëve të familjes.

Edhe pse, me thënë të drejtën, unë kam përshtypjen se investimi në Zvërnec është më shumë një grabitje e oligarkëve vendas, të cilët po fshihen pas emrit të vajzës dhe dhëndrit të presidentit amerikan. Por, në këtë analizë nuk do të merrem me këtë temë, që është vetëm njëri dimension i ngjarjes. Dimensioni tjetër është protesta përtej Zvërnecit, që po ndodh në Tiranë dhe qytete të tjera, nga qindra e mijëra të rinj shqiptarë.

Pasi dëgjova me dhjetëra protestues, qytetarë të thjeshtë, studentë, vajza e djem modernë, përfundimisht u binda se ata do ta përmbysin klasën politike në Shqipëri dhe do të sjellin një erë të re. Ja pse:

– Ata të rinj e të reja janë tërësisht pa komplekse;

– Ata nuk ndihen inferiorë;

– Ata janë modernë;

– Ata nuk kanë asnjë ndryshim nga të rinjtë e Evropës, Romës, Parisit, Londrës, Berlinit, Oslos apo Kopenhagës;

– Ata e duan Shqipërinë dhe nuk duan ta braktisin;

– Ata janë patriotë;

– Ata janë të vetëdijshëm për mbrojtjen e mjedisit, natyrës dhe resurseve natyrore.

– Ata janë të artikuluar;

– Ata janë të revoltuar;

– Ata e dinë se çfarë duan;

– Ata duan që t’i japin fund njëherë e mirë politikës 35-vjeçare, të karakterizuar nga krimi, korrupsioni, konflikti, polarizimi, padrejtësitë strukturore dhe një sistem që favorizon vetëm të fortin, ndërsa persekuton të aftin dhe parimorin.

– Ata refuzojnë të tolerojnë më tej politikën që ka nënshtruar prindërit e tyre dhe që e ka bërë shtetin të padepërtueshëm për njerëzit pa librezë partie.

Por, ata refuzojnë të pranojnë edhe rrëfimin për investime të mëdha dhe aleanca të mëdha me të fuqishmit e globit, sepse thjesht nuk u besojnë politikanëve shqiptarë dhe janë të informuar edhe për atë që po ndodh në arenën ndërkombëtare.

Me pak fjalë, të rinjtë në shesh refuzojnë përfundimisht modelin aktual politik që e ka mbajtur peng Shqipërinë në një tranzicion 35-vjeçar, i cili është më i gjati në vendet ish-komuniste.

Në thirrjet e tyre dëgjohet fjala revolucion. (Nga të gjitha revolucionet e viteve të fundit, “Revolucioni i Flamingove” tingëllon më bukur.)

Unë nuk jam nga ata që besojnë shumë te revolucionet, pasi historia ka treguar se ato jo gjithmonë kanë sjellë një situatë më të mirë. Përkundrazi, ka plot shembuj kur kanë sjellë kaos apo diktatura edhe më të egra. Për fat, Shqipëria nuk është në një situatë që mund të prodhojë përmbysje të tilla, pasi është në Evropë, është një vend demokratik, edhe pse me probleme madhore, dhe është anëtare e NATO-s.

Por, pavarësisht se si quhet – revolucion ose jo – Shqipëria ka nevojë të shkëputet nga mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe të bëhet vërtet evropiane, një vend ku respektohet ligji dhe jo ku ligji ndryshohet për t’iu përshtatur interesave okulte të politikanëve apo oligarkëve.

Procesi i anëtarësimit në BE do të duhej ta kishte sjellë këtë transformim të Shqipërisë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Modeli politik ekstraktiv i elitave të gjithë periudhës postkomuniste është ende ai që mbizotëron dhe, si pasojë, kemi këtë rritje të jashtëzakonshme të hendekut mes të varfërve dhe të pasurve, edhe pse Shqipëria është bërë shumë më e pasur dhe më e zhvilluar se kur doli nga komunizmi, edhe pse po vërshohet nga turizmi dhe investimet.

Modeli amerikano-latin i zhvillimit nuk i duhet Shqipërisë; i duhet ai evropian, të cilin e duan, e njohin dhe e kërkojnë të rinjtë në protestë dhe në rrjetet sociale, të cilët janë aktivizuar si kurrë më parë.

Kryeministri Rama, kryetari i PD-së Berisha dhe politikanë të tjerë të rëndësishëm, nëse nuk e kuptojnë këtë shpejt dhe nuk reflektojnë, reformohen e lëshojnë rrugë, vështirë se do t’i mbijetojnë erës së “revolucionit” që ka nisur, i cili mund edhe të rrëmbehet gjatë rrugës nga ata që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova edhe një herë dëshmoi mbarëvajtje të suksesshme të zgjedhjeve…