Sulmi me kallashnikov ndaj autobusit në Malishevë, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar me inicialet S.M., lidhur me rastin e sulmit me kallashnikov ndaj një autobusi me udhëtarë në fshatin Pagarushë të Malishevës.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar me inicialet S.M. është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë./Periskopi/



